LSI ka marrë në dorë projektin për dixhitalizimin e pasurisë në hipoteka. Projekti është financuar dhe po zhvillohet tërësisht nga Zyra Qëndrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe për zbatimin e tij janë përfshirë rreth 200 deri 250 specialistë.

Ministri Drejtësisë,  Ylli Manjani, i cili ishte sot i pranishëm në ceremoninë e nisjes se fazës së parë të procesit tha se ky është vetëm fillimi i një projekti shumë të madh që mundëson shmangien e mbivendosjes së emrave.

“Me këtë projekt që fillojmë sot është e sigurtë që zgjidhim mbivendosjen për shkak të emrave ose për shkak të dokumentacionit ligjor dhe tashmë shërbehet shpejt, sepse dokumentacioni nuk do të jetë më i shkruar me dorë por gjithaçka do të jetë e kompjuterizuar dhe me një komandë printohet kartela e freskët ose çdo informacion që kërkohet masivisht nga qytetarët do të jepet në mënyrë elektronike”, u shpreh z. Manjani. Ministri i Drejtësisë bëri publik edhe shkarkimin nga detyra të drejtuesit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat, pas dëmeve të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Ministri Manjani theksoi gjithashtu se vijon të mbajë të njëjtin qëndrim se në zyrën e shtetit dhe veçanërisht në atë të pasurive të paluajtshme, nuk duhet të ekzistojë shprehja kanë humbur dokumentat. Sipas z. Manjani, praktikisht, teknikisht dhe ligjërisht nuk mund të ekzistojë kjo shprehje dhe kushdo që e përdor ka shkelur rëndë etikën në punë, ligjin dhe duhet të ndiqet penalisht. Informacioni i ri dixhital mbi pronësinë do të jetë i aksesueshëm nga të gjitha institucionet që shkëmbejnë informacion me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.