Nga qeveria vijnë predikime kundër radikalizmit politik në një kohë kur shumica demonstron pa skrupuj fundamentalismin e saj në raport me interesin publik. Kështu shkëlqesia e tij, Ilir Meta, kërkoi që politika të marrë shembull nga toleranca fetare. Është e tepërt që një parti si LSI të predikojë standarde mirëkuptimi dhe prosperiteti, aq më tepër këtë moral ta bëjë nga pozitat e pushtetit. Jo më shumë se një muaj më parë Ilir Meta në kushtet e humbjes së qetësisë dhe frikes kërcënoi nga kryesia e Kuvendit, pra nga një zyrë shtetërore, me destabilizim të vendit i trembur dukshëm nga perspektiva e burgut. Pra për interesat e tij personale Ilir Meta do çonte Shqipërinë drejt destabilizimit. Dhe sot ky lloj fundamentalisti qesharak predikon leksione kundër radikalizmit politik.
Ai është edhe pjesë e një qeverie fundamentaliste, e cila në shkelje të çdo lloj principi miraton një ligj si ai i mbetjeve, të cilin e ka kundërshtuar me forcë kur ishte në opozitë me argumentin se ishte një ligj i sponsorizuar nga mafia. Shou i firmosjes së shfuqizimit të ligjit më pas i dha formë edhe më bizarre këtij fundamentalismi.
Kjo qeveri e filloi punën me shpërthime tritoli duke shembur disa ndërtesa në emër të luftës kundër paligjshmërinë dhe kontrollit të territorit. Dha shembullin sesi paligjshmëria justifikon terrorizmin e qeverisë. Shou live me tritol dhe tym, duke vepruar në të njëjtën mënyrë si grupet kriminale. Me pak fjalë një model Julian Sinani në politikë. A është ky fundamentalisëm?
Para pak ditësh një grua në muajin e nëntë të shtatzënisë humbi jetën bashkë me foshnjën sepse sistemi fundamentalist i shëndetësisë me para nën dorë e vrau me ndërgjegje. Krimi u konsumua në QSUT dhe askush nuk mbajti asnjë përgjegjësi. A është ky fundamentalisëm?
Deri para pak muajsh LSI kishte në zyrën e shtetit trafikantin me të madh të drogës që drejtonte një agjenci shtetërore si Drejtoria e Transporteve dhe policia nuk i preku dot asnjë fije. Klement Balili iku me bekimin e LSI-se dhe qeverisë. A është ky fundamentalisëm? Në Landfillit e Sharrës u masakrua nga bulldozeri I një firmë private një 17 vjeçar. Pronari i firmës që punësonte minorenë në të zezë u zhduk. Ky ishte kryetar i Partisë Socialiste të Peqinit, partisë në pushtet, që e pamë të dilte në krah të Erion Veliajt si mirë menaxhuar i Sharrës. A është ky fundamentalizëm?
Si do mundet një qeveri fundamentaliste si kjo të luftojë radikalizmi dhe aq më tepër Ilir Meta. Shaka të zeza këto në ditë të zeza.