Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes e Shqipërisë, ndodhet për një vizitë në Arabinë Saudite, ku është takuar me zëvendësprincin e Kurorës, zëvendës i dytë i kryetarit të Këshillit të Ministrave dhe ministër i Mbrojtjes, lartësinë e tij mbretërore, Muhammad bin Salman bin Abdulaziz Al-Saud. Në bisedën mes të dyve, Kodheli ka pranuar tezat e sauditit për situatën në Lindjen e Mesme, mes të cilave edhe ajo se “Siria është një shtet që po bie”. Në njoftimin e vet për këtë takim, zyra e shtypit e Ministrisë së Mbrojtjes informosn se Kodheli ka identifikuar armiq të përbashkët që Shqipëria dhe Arabia Saudite kanë.

“Ne duhet të luftojnë armiqtë e përbashkët, duhet të jemi bashkë në tema dhe vlera të rëndësishme”,- nënvizoi znj. Kodheli.

Për Al – Saud armiqtë e stabilitetit janë ideologjitë ekstremiste, por edhe shtete të caktuara, ku nuk është e vështirë të kuptohet se fjala është për Iranin dhe Sirinë.

“Ka shtete që kanë rënë, shtete që po bien si dhe ideologji ekstremiste, dhe si rrjedhim të gjitha këto reflektohen në të gjithë botën”,- u shpreh ai në një aludim të qartë për Sirinë. Shqipëria ka marëdhënie me armiqtë shtetërorë të Arabisë Saudite dhe nuk dihet nëse ka ndonjë akt armiqësor ndaj saj nga Irani dhe Siria. Po kështu me rëndësi është edhe theksimi nga Kodheli i nevojës për bashkëpunim në fushën ushtarake.