Nga ekspozita personale në Nju Jork kryeministri u gjend të hënën paradite në Bruksel, ku siç përcolli me foto dhe tekst u prit krahëhapur nga shefja e politikës së jashmtme të BE-së, Federica Mogherini. Teksti që shoqëron foton në fjalë ngazëllyes dhe pak të thuash ekzaltues për vëmendjen që po merr Shqipëria e vogël në tryezën e të mëdhenjve falë kryeministrit dhe veçorive të tij të spikatura që kanë bërë për vete Europën.

Deri këtu asnjë lajm dhe vetëm propagandë e bajate e stilit alla Obama që i shkon për shtat vetëm dukjeve të kryeministrit. “Sapo përfundoi në Bruksel mëngjesi i punës me vëndet anëtare, iniciuar nga grupi i Miqve të Shqipërisë në Këshillin e BE-së, ku u fol me tonet më pozitive për Raportin e Progresit dhe u konfirmua vullneti i vendeve anëtare për mbështetjen e rekomandimit pozitiv të Komisionit për çeljen e negociatave per anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”-shkruan Rama, ndonëse një ditë më parë e quajti të paimagjinueshme që nogoiciatat do të ishin hapur brenda 3 vitesh. 

Arkivat janë dhe kjo është lehtësisht e  konstatueshme që zotëria kishte premtuar hapjen e negociatave të anëtarësimit qysh në vitin e parë, por ashtu si shumë premtime të tjera edhe ky i fundit ka ecur paralelisht me dështimet e qeverisë që ai drejton. Në postimin e tij kryeministri tenton të përcjellë idenë se ai po luan në një fushë pa kundërshtarë sa i takon qëndrimeve të Shqipërisë në politikën e jashtme dhe se pengesë e vetme për qeverinë e tij është zbatimi i ligjit të Vetting-ut.

“U nënvizua nga të gjitha vendet anëtare progresi i madh që pasqyrohet në Raportin e Komisionit; ecuria mbresëlënëse e reformave; respekti i veçantë për politikën rajonale të Shqipërisë; nevoja imediate për zbatimin e Ligjit të Vetingut si premisë e mirëkuptuar apo kusht i natyrshëm për ecurinë e këtij procesi historik”-thotë kryeministri, ndonëse është i vetëdijshëm për rrezikun e një vetoje nga Greqia dhe mundësinë e rërzimit të Ligjit të Vettingut nga Gjykata Kushtetuese. Vlen të theksohet se ky mëngjes pune është zhvilluar nê kuadrin e grupit të miqve të Shqipërisë tê krijuar me inisiativën e Italisë dhe Austrisë.