Teksa pritet zbardhja e opinionit të Komisionit të Venecias për Ligjin e Vetting-ut, ambasada amerikane duket se është në dijeni të përmbajtjes së këtij opinioni, çka e ka lënë të nënkuptohet ambasadori i saj Donald Lu, por edhe kryeministri në një deklaratë të para dy ditëve. Shantazhi i kreut të qeverisë mbi Gjykatën Kushtetuese për të marrë një vendim në favor të zbatimit të Ligjit të Vetting-un sipas variantit të miratuar në kuvend vetëm me votat e shumicës nuk mjafton dhe për këtë arsye ambasadori Lu ka hyrë në replika politike me një deputet të Partisë Demokratike si Sali Berisha.

"Është bërë shumë kujdes pë të ndërtuar një sistem që është i pavarur dhe është i izoluar nga trysnitë politike", tha Lu.

Sipas tij është Sali Berisha që po ushtron trysni mbi Gjykatën Kushtetuese dhe çdo devijim nga formulimi që dëshiron ambasadori apo kryeministri duhet të përballet me zemërimin popullor.

"Gjithashtu kjo do kërkojë që populli shqiptar ta vëzhgojë këtë proces me kujdes që të sigurohet që asnjë politikan, gjyqtar apo prokuror të mos manipulojë rezultatin e këtij sistemi. I jemi mirënjohës komisionit të Venecias për këshillat e urta. Jam dakort me doktor Sali Berisha që ka thënë se opinioni i komisionit të Venecias afron një bazë solide për ti dhënë vendit reformën më të mirë të drejtësisë. Ai tha se beson që të gjitha forcat politike shqiptare duhet të mbështesin këshillën e urtë të presidentit të komisionit të Venecias"- deklaroi ambasadori Lu.

Në fakt ai që ka dalë publikisht duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese të marrë vendimin që ai dëshiron për Vetting-un është kryeministri i vendit dhe këtë standard ambasadori e miraton duke e parë si "i yni". Deri më tani instrumentat që ka përdorur opozita kanë qenë në përputhje me standardet ligjore, të paktën publikisht. Nëse ambasadori ka të dhëna të tjera për intimidimin e Gjykatës Kushtetuese nga Sali Berisha apo kushdo deputet tjetër s'ka pse t'ia mbajë të fshehur publikut, që edhe ky i fundit të ketë arsye të reagojë dhe të marrë përgjegjësitë që i takojnë si popull.