Një ekip i Observatorit të Leiden në Holandë, drejtuar nga astronomja Margot Brower ka testuar me sukses teorinë e fizikanit teorik Erik Verlinde i universitetit të Amsterdamit mbi efektin e lentes gravitacionale. Ekipi mati shpërndarjen e gravitetit përreth 33 mijë galaktikave për të testuar parashikimin e Verlindes dhe doli në rezultatin se matjet përputhen me teorinë.

Teoria e Verlindes shihet si alternativë e teorisë së Einstein dhe ajo pretendon të sqarojë disa të panjohura. Graviteti i galaktikave e përkul hapësirën në mënyrë të tillë saqë drita që kalon përmes hapësirës përkulet gjithashtu, apo përthyhet njësoj si te lentet. Për rrjedhojë galaktikat që qëndrojnë në sfond, pra në horizontin e hapësirës, shfaqen të shformuara për shkak të “lenteve” që përbëhen nga galaktikat e afërta që përkulin hapësirën. Këto janë efektet që vijnë te një vëzhgues. Astronomët kanë matur se në distanca që janë qindra herë më të mëdha sesa rrezja e galaktikës, forca e gravitetit është shumë më e fuqishme sesa parashikohet në teorinë e gravitetit të Einstein. Teoria në fjalë funksionon nëse asaj i shtohen grimcat e padukshme, apo e ashtuquajtura Materie e Errët që përligj këtë diferencë të madhe të manifestimit të gravitetit.

Verlinde hipotetizon se ai jo vetëm e shpjegon mekanizmin që qëndron pas kësaj shfaqjeje të gravitetit, por gjithashtu sqaron edhe origjinën e gravitetit ekstra, që i atribuohet Materies së Errët. Teoria e tij njihet Graviteti Entropik që e përshkruan gravitetin si një forcë entropike(që rezulton nga termodinamika e sistemit) dhe një ndërveprim themelor që rregullohet nga një teori e fushës kuantike, apo forcat bërthamore, fotonet dhe forcat elektromagnetike. Pra sipas Verlindes, graviteti është pasojë e tendencës së sistemit për të rritur Entropinë.

Në këtë kuadër fizikani holandez sugjeron sa gravitet duhet të rezultojë duke u nisur vetëm nga masa e materies së dukshme – të vëzhgueshme.

Eksperimenti i Brouwer bazuar mbi këtë hipotezë mori në konsidratë 33 613 galaktika, masën e tyre të dukshme për të nxjerrë konkluzionet për gravitetin e tyre. Astronomja ka deklaruar se testi i jep të drejtë Verlindes për këtë matje të fragmentarizuar, por Materia e Errët mundet të shpjegojë sipas saj gravitetin ekstra që shfaqet. Materia e Errët hyn në llogaritje si një parametër i lirë, i cili duhet rregulluar për vëzhgimin, ndërkohë që teoria e Verlindes provon veten pa nevojën e parametrave të tillë.

http://phys.org/news/2016-12-verlinde-theory-gravity.html