Partia Demokratike ka nisur siç premtoi protestën e saj në bulevardin qendror të Tiranës. Protesta ka kaluar pa eksese dhe oratorët kanë mbajtur fjalimet e tyre kundër qverisjes së keqe dhe situatës aktuale. Në vijim të protestës, PD-ja ka vendosur të ngujohet në bulevard duke ngritur çadrat, aty ku disa vite më parë socialistët bënin të njëjtën gjë pas zgjedhjeve të vitit 2009.  Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka deklaruar se edhe ai do të qëndrojë në shesh me protestuesit.

“Unë e kam vendosur të qëndroj në shesh, ju ftoj të qëndroni dhe ju. Rroftë Shqipëria, Zoti e bekoftë Shqipërinë”, tha Basha.

Nga ana e vet, kryeministri Edi Rama, ka përcjellë live protestën duke bërë ndër të tjera këtë koment:

"Vetëm 6 vjet më parë, Ziveri, Hekurani, Aleksi, Faiku u vranë nga pushkët e shtetit të kapur prej pushtetit, pikërisht në bulevardin ku në këtë moment protestohet, pa gardhe telash me gjemba dhe asnjë frikë e trysni nga shteti. Prandaj s'mund të mos jemi sot krenarë, edhe për këtë ndryshim kaq rrënjësor në rrugën tonë për të bërë shtet, ku padiskutim ka rezistencë e pakënaqësira të natyrshme.

Është padyshim një rrugë shumë e vështirë. Reformat e vërteta nuk janë aspak të lehta, madje shpesh janë operacione mjaft të dhimbshme. Por s'ka asnjë të ardhme të sigurt për vendin, shoqërinë, fëmijët tanë, pa i operuar me kurajo pjesët e kalbëzuara në vite të organizmit të shtetit. Shumica dërrmuese e shqiptarëve e kuptojnë këtë. Ata janë të vetëdijshëm edhe për vështirësitë, edhe për domosdoshmërinë e reformave.

Por s'ka dyshim se Shqipëria dhe shqiptarët e lënë 25 vjet në baltën e një tranzicioni të gjatë pa reforma, meritojnë vazhdimin me vendosmëri të tyre, e veçanërisht të reformës në drejtësi! E cila duhet zbatohet një orë e më parë duke filluar nga vettingu. Ne do të ndjekim e dëgjojmë me respekt, çdo shprehje pakënaqësie të pakicës, por nuk do të ndalemi asnjë minutë në përmbushjen e misionit tonë për të bërë shtet".

Zë pakice ose jo, e vërteta është se kryeministri duhet të kuptojë se bashkë me ato që ai i quan reforma është zhvilluar edhe një korrupsion dhe abuzim i këtillë saqë nuk mund të fshihet.