Marrin një tjetër kthesë zhvillimet në Maqedoni pas refuzimit që Presidenti Gjorge Ivanov, i bëri kërkesës për mandatimin e Zoran Zaevit si kryeministër. Pamvarësisht dorëzimit të 67 firmave që nevojiten për t’u mandatuar si negociator për krijimin e qeverisë së re, Zaevit i është kërkuar të hedhë poshtë dhe të mos pranojë platformën shqiptare si kusht për formimin e Qeverisë së re.

Në një konferencë  të jashtëzakonshme, Presidenti Ivanov tha sa se shkas për këtë vendim është platforma e partive politike e arritur sipas tij në “shtetin fqinj”, me të cilën sipas tij rrënohet karakteri unitar i shtetit të Maqedonisë. “Deri sa të jem President i Maqedonisë nuk do të mandatoj askënd që pranon platforma të shteteve fqinje që rrënojnë sovranitetin e shtetit”, ka deklaruar Ivanov duke drejtuar akuza të rënda ndaj liderit social-demokrat për shkelje të Kushtetutës dhe tradhti të interesave kombëtare.

“Platforma është e përgatitur në vend të huaj, nga një kryeministër i huaj dhe kjo është pengesë që të mos ia japë mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev”-shtoi më tej Presidenti i Maqedonisë. Ivanov tha se nuk pret reagim nga bashkësia ndërkombëtare për mos dhënien e mandatit Zaevit, ashtu siç ndërkombëtarët nuk reaguan për platformës shqiptare, të hartuar sipas tij në një shtet fqinj, duke aluduar Tiranën, ku dhe u firmos marrëveshja e katër partive shqiptare..

Edhe BDI reagoi për vendimin e presidentit Ivanov, duke nënvizuar se ai e thellon edhe më shumë krizën dhe se do të ketë pasaoja katastrofike për vendin. Ndërsa lideri i Socialdemokratëve, Zoran Zaev, pas një takimi urgjent me kreun e BDI –së, Ali Ahmeti, doli në një konferencë për shtyp, ku tha se refuzimi i presidentit për t’i dhënë mandatin ishte një grusht shteti dhe se vendi ka hyrë tashmë në një krizë kushtetuese. Zaev sqaroi se në hartimin e platformës së bashkepunimit është respektuar me përpikmeri kushtetuta dhe Marrëveshja e Ohrit.