Në krizën maqedonase ka hedhur një vështrim edhe Serbia. Në Maqedoni ka një parti të pakicës serbe, kryetari i së cilës është  Ivan Stoilkoviç i cili dje i ka dhënë një intervistë gazetës serbe “Informer”. Intervista ka njëfarë interesi pasi ajo duket se shkon në shtratin e përpjekjeve sintetizuese që synojnë amplifikimin e rrezikut shqiptar në Ballkan dhe rolin e nacionalizmit shqiptar si dorë e zgjatur e Perëndimit. Intervista i flet edhe opinionit në Serbi, por edhe në Maqedoni, ku situata ka edhe aspektin qesharak si ai një proteste të femrerëve sllavë që kanë bllokuar rrugën për të kundërshtuar “Platformën e Tradhëtisë”. Stoilkoviç bën një lexim konspiracionist dhe gjeopolitik në të njëjtën kohë, duke i fryrë zjarrit të keqkuptimit, kur thotë se ajo që po ndodh në Maqedoni është lojë e ”mbeturinave të administratës Obama”.

Sipas tij “qëllimi nuk është vetëm të shkatërrohet Maqedonia, por edhe Serbia. Është vija ortodokse, Beograd – Shkup – Athinë dhe lidhja e tyre me Rusinë që I shqetëson ata. Derisa nuk shkatërrojnë dot Rusinë, e kthejnë vëmendjen ndaj nesh”.

Ky është një mesazh luftarak që shkon gjithsesi paralel dhe në vazhdën e disa deklratave të kryeministrit serb, Vuçiç, “mikut Aleksandër”, sipas të cilit ka tensione në Ballkan. Mediat dhe aktorët pranë Gruevskit po kërkojnë arrestimin e Zaevit për tradhëti, duke shtuar dozën e presionit deri në situatë përplasjeje sociale e duke likujduar premisat për një qeveri normale që ata e quajnë të pakicës. Nuk është çudi që pak pas këtij prononcimi të dalë në skenë edhe kleri për të bërë deklrata, diçka detonuese në një vend si Maqedonia.