Debatit mbi shfaqjen ose jo të filmave të periudhës së komunizmit i shtohet edhe këndvështrimi i klerikëve, të cilëve regjimi u jepte një rol pezhorativ deri dhe tallës. Nëkryetari i Komunitetit Musliman, Gazmend Aga thotë në një intervistë për Gazeta Shqiptare se religjonet ishin më të goditura nga sistemi i propagandës që materializohej në filmat e Kinostudios.

Sistemi vetë ishte një fyerje e rëndë për klerin dhe besimin sepse e shpalli Shqipërinë vend ateist në mënyrë arbitrare. Gjithë propaganda dha aktivitet antifetar, antihuman, antivlerë. Luftën e klasave etj. Nuk mund t’i adresohet e gjitha Kinostudios, e cila si të gjitha pjesë e tjera të sistemit ka mëkatet e veta , kuptohet jo të vogla.

Sipas Agës, debati është i vlefshëm dhe duhet të marrë në konsideratë të dyja anët e medaljes, edhe punën e regjisorëve aktorëve dhe kineastëve por edhe denigrimin e padrejtë të klerit fetar.

Një debat konstruktiv me qëllim interesin publik është pozitiv sepse nga njëra anë është një punë e madhe e shumë aktorëve, regjisorëve dhe njerëzve të shquar, të cilët nuk kanë patur si qëllim propagandën, por artin dhe duhen vlerësuar për këtë, por nga ana tjetër duhet mirëkuptuar ndjeshmëria e qindra mijërave të lënduarve nga propaganda komuniste, pjesë vuajtëse e së cilës është edhe kleri mysliman Ne jemi për ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe opinionit publik dhe asnjëherë për vendime arbitrare dhe imponuese sepse ne nga kjo vuajtëm. Personalisht mund të them se për hir të ndërgjegjies kolektive do ishte mirë që filmat propagandistikë të mos shfaqeshin shumë ose aspak, por jo duke u censuruar me forcë.