Ish-drejtori i CEZ Josef Hajcek dhe vartësi i tij, Jan Ivan janë dërguar në gjyq nga Prokuroria e Tiranës për mashtrim me pasoja të rënda në çështjen ku është i përfshirë edhe Kastriot Ismailaj. Prokuroria thotë se dy shtetasit çekë, të cilëve iu është njoftuar akuza përmes letërporosisë  kanë përdorur të dhëna fiktive dhe kanë vjedhur nga CEZ shumën prej 649 milionë lekësh. Kjo vlerë i është paguar shoqërisë DIA, dega Shqipëri, për shërbime që nuk janë kryer.

Duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin të pandehurit kanë vjedhur Kompaninë CEZ, e për rrjedhojë edhe shtetin shqiptar, i cili në atë kohë zotëronte aksione të kësaj shoqërie.Për të njëjtën histori mashtrimi që siç thotë Prokuroria u vodhën gati pesë milionë euro ndodhet nën gjykim në një tjetër proces penal edhe ish-administratori i mbledhjes së borxheve të CEZ Kastriot Ismailaj.

Prokuroria e mbështet qëndrimin e saj mbi prova të tilla sikurse janë paraqitja e një raporti fiktiv për identifikimin e debitorëve  në një kohë që shoqëria DIA nuk kishte kryer asnjë proces të tillë.Vetëm nga paraqitja e këtij raporti që në fakt ishte një produkt i thjesht elektronik mbi të dhënat ekzistuese janë përfituar 1,5 milionë euro thotë prokuroja e çështjes, Antoneta Sevdari, raporton Top Channel.

Nën drejtimin e Josef Hajcek, CEZ kishte vështirësi që lidheshin me mungesën e arkëtimeve duke detyruar qeverinë e mëparshme të pranonte dështimin e privatizimit. Rikthimi i kompanisë në duart e shtetit shqiptare me një marrëveshje mirëkuptimi të nënshkruar nga qeveria Rama i kushtoi buxhetit 95 milionë euro. KLSH evidentoi shkelje në praktikat e ndjekura nga grupi shtetëror i punës i udhëhequr nga ministri i Energjisë Damian Gjiknuri dhe Avokatura e Shtetit me një dëm 479 mln euro, por prokuroria e mbylli çështjen.