Nuk mbarojnë çuditë e politikës shqiptare që është e obsesionuar me lirinë dhe ndershmërinë e votës. Dashamir Shehi, në politikë prej 25 vitesh dhe që dikur ka mbajtur funksione ekzekutive të larta, deputet dhe ligjvënës prej kohësh, ka sugjeruar që të sanksionohet në Kushtetutë që për 10-15 vitet e ardhshme, 2-3 muajt e fundit të mandatit qeverisës të krijohet një qeveri teknike.

“Unë personalisht e kam shtrirë idenë që kjo lloj qeverisjeje të fiksohet në Kushtetutë që të paktën 10-15 vite e tjera kushdo qoftë në qeveri në 2-3 muajt e fundit duhet ta dorëzojë. Ky nuk ëshhtë transferim pushteti nga njëri krah në tjetrin, por një mënyrë për ta distancuar pushtetin nga kutia e votimit”, tha Shehi, raporton gazeta “Tema”(http://www.gazetatema.net/2017/04/05/shehi-kembengulte-fiksohet-ne-kush…). 

Nuk dihet nga mbiu një ide e tillë dhe si mund të rregulohet ajo në Kushtetutë, e cila në këtë rast do të katandisej në një lloj kodi zakonor shqiptar, thellësisht indigjen në rregullimet e veta.