Debati i para disa ditëve, i kufizuar vetëm në shkrime në mediat online dhe nga një koment injorues i kryeministrit, mbi nenin 449 që ndalon rihapjen e çështjeve në dëm të të pandehurit kur është dhënë vendim pafajësie, ka qenë prezent edhe në radhët e ekspertëve. Në një shkrim të vetin “reporter.al” i ka marrë një prononcim autorit të nenit në fjalë, Artan Hoxha, i cili referon praktikat e disa vendeve europiane.

“Mua më vjen keq për gjithë zhurmën që po bëhet, pasi nuk ka asnjë shkelje standardi. Ky rregullim garanton sigurinë ligjore dhe nuk prek asnjërën prej çështjeve të diskutuara. Nuk ndikon në kushtet e reformës në drejtësi”, tha Hoxha për BIRN.

“Modeli i adoptuar nga Parlamenti shqiptar ndiqet nga vende si Italia, Franca, Belgjika, Spanja dhe Portugalia. Ndërsa shumica e vendeve të BE, të tilla si Gjermania, Austria, Suedia lejojnë rihapjen e çështjeve edhe në dëm të të pandehurit, nën procedura të qarta dhe strikte”, vijon raportimin “reporter.al”
Ekspertët e Euralius, që janë prezent përherë në kësi rastesh, deklarojnë se nuk ka praktikë të unifikuar në Europë për këtë çështje.

“Euralius rekomandoi parashikimin e një dispozite të ngjashme me modelet e vendeve si Gjermania, Austria apo Suedia, të cilat lejojnë rihapjen e çështjeve penale në raste të caktuara, edhe nëse kishte pafajësi”, u përgjigj delegacioni i BE, raporton “reporter.al”.

Fusha e veprimit të dispozitës(lexoni këtu: http://www.respublica.al/2017/04/02/ndryshiminuk-rishikohen-vendimet-e-pafaj%C3%ABsis%C3%AB-meta-dhe-basha-amnistohen-p%C3%ABrjet%C3%ABsisht) është e vogël sipas ekspertit Hoxha.

“Ndalimi i rishikimit është i aplikueshëm vetëm për rastet e mbyllura me një vendim të formës së prerë pafajësie për të pandehurin. Jo për vendimet e gjykatës, të cilat vendosin një sanksion dhe as u referohet çështjeve të mbyllura gjatë një faze të hetimit. Çështje të tilla mund të rihapen në çdo kohë, nëse dalin prova të reja”, shprehen përfaqësues të delegacionit të BE-së.

Ku lind dyshimi mbi këto akrobaci që bëhen në Shqipëri? Dyshimi lind në konstatimin që bëri pak kohë më parë Komisioni i Venecias, i cili konsiderohet si arbitri i standardeve. Sipas këtij komisioni, draft reforma në drejtësi që shqyrtohet aktualish në Shqipëri është e pranueshme për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme që vlerësohet se ka vendin ynë. Pra një rrethanë e tillë përligj një operacion që neglizhon çështjen e të drejtave siç është rasti për vettingun. Nëse është kështu atëherë kjo frymë duhet të dominojë edhe kuadrin plotësues penal, pasi është e papranueshme në aspektin moral dhe politik që nga një anë të kemi kufizime të jashtëzakonshme për pranuar gjyqtarë që sugjerohet se do të jenë paladinë të drejtësisë së paprekur, nga ana tjetër inkuadrojmë standarde të vendeve të caktuara për procese që mezi priten në Shqipëri.

Natyrisht është e kollajtë që argumenti të gjendet e të shtihet në punë, por kjo vetëm sa provon anomalinë e kësaj reforme, miratuar si një çështje e mbyllur kur vjen puna te teskti i saj dhe si një interes i gjerë publik kur shtrohet diskutimi për të fituar kapital politik. Siç e dimë: djalli fshihet në detaje dhe aty duhet kujdesi. Pa harruar këtu se vendimet e drejtësisë së dhëna deri më tani mund të vihen në dyshim sa kohë që ky sistem është vënë nën gjykim si i pabesueshëm dhe i korruptuar. Por kjo është qartazi retorikë në një reformë që është çështje kuadri.