Sot u bë lajm dalja e disa përfaqësuesve të Partisë Demokratike, të cilët kundërshtojnë idenë e bojkotit të zgjedhjeve. Majlinda Bregu dhe Eduard Selami janë tanimë dueti i zakonshëm që shfaqen si serumi i konstruktivitetit politik, në shërbim të një stabiliteti që i konvenon pushtetit. 

Çadra dhe protesta e PD-së ndodhen në një fazë që nuk kanë çfarë të negociojnë përveç se të ecin përpara në delegjitimimin e zgjedhjeve të cilat po i afrohen shumë fasadës elektorale. Selami foli për instrumentalizim të Çadrës nga Basha, kurse Bregu për faktin se partnerët e PPE-së nuk janë më në gjendje të ndihmojnë në këtë situatë. Mund të pyetet: nga cilat konsiderata nisen këto vërejtje? Nga fakti se personat mbeten jashtë Parlamentit, se në lojë është stabiliteti i vendit, apo se në këtë rrugë ecet drejt shkatërrimit të PD-së? Për më tepër, njësoj si çdo herë, këta kritizerë permanentë nuk dinë të japin një ofertë, ndërkohë që kundërshtimi ndaj çadrës mund të ishte më i hershëm. Për analogji, vendimi i dikurshëm i PS-së për të hyrë në grevë urie, u kundërshtua që në fillim nga disa deputetë të saj që dolën kundër publikisht. E kundërta ndodh me këta deputetë që nuk dihet mirë se çfarë përfaqësojnë qoftë me personin e tyre, qoftë me qëndrimet. Nuk është pa rëndësi të vihet re se kundërshtimi i sinkronizuar i tyre sot u mor gjerësisht nga mediat afrë qeverisë, duke zbuluar se pushteti aktual e ka shumë të sikletshme daljen në zgjedhje pa një opozitë. 
Po ashtu nuk është pa rëndësi edhe një element: dalja e Jozefina Topallit kundër protestës dhe heshtja e Sali Berishës për skenarin e bojkotit të zgjedhjeve. PD-ja duhet të sqarojë qëndrimin e vet, ndonëse me të mund të mos pajtohet një shumicë njerëzish. E qartë është se nëse dikush aty brenda i druhet bojkotit duhet ta kundërshtojë këtë me nismë dhe publikisht, jo në formën e një deklarate që thotë “unë e bëra timen”. 

As përgjigja e Bashës se “Shqiptarët e kanë lënë pas diktaturën dhe do dinë të mbrojnë pluralizmin dhe të drejtën e tyre për votë të lirë”, nuk mjafton sa kohë këta deputetë që flasin në këtë mënyrë sot, nesër mund të jenë sërish në kryesi. 
Opozita ndodhet përpara një vendimi shumë të rëndësishëm që do afektojë patjetër edhe pushtetin, që ka nisur të nervozohet. Çështja është se opozita ka tanimë përgjegjësi paralele si në menaxhimin e emocioneve, ashtu edhe të stabilitetit, procesit politik, por edhe të protestës. Çadra ka qenë deri më tani një mjedis shumë më demokratik sesa parlamenti, për nga debati dhe qetësia, por ajo po afron në fundin e misionit të vet dhe këtu përgjigja ndaj diversioneve merr rëndësi të madhe.