Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi deklaron se deri në fund të majit Spitalla do të ketë një ofertë fituese për t’u shpallur Zonë e Lirë Ekonomike.

“Deri në fund të majit ne do të kemi një fitues për zonën ekonomike të shpallur dhe po të jemi optimistë, mund të themi që korriku, apo fillimi i gushtit do të na gjejë me zhvilluesin në territor”, shprehet ajo, raporton Top-Channel.  

Sipas këtij televizioni “oferta e parë parashikon 30 milionë euro investime për ndërtimin e një fabrike pasurimi të ferro-kromit, kurse oferta e dytë planifikon 93 milionë euro për ndërtimin e kapanoneve industrialë. Të dyja oferta vijnë nga kompani shqiptare”.

“Propozimi i parë në harkun e tri viteve shkonte në 12 mijë veta që punësohen, propozimi i dytë në harkun e katër viteve shkonte në 2500 punëtorë që punësoheshin”, shprehet ministrja.