Që shteti shqiptar u ka hapur dyert shumë "lektorëve" që japin këshilla mbi demokracinë dhe përparimin kjo nuk është ndonjë gjë e re, por situata e krijuar në ambjentet e Universitetit të Tiranës me koordinatorin e Agjencinë turke TIKA në Tiranë, Eyup Yavuz Umutlu ka ekspozuar edhe njëherë raportin që kjo qeveri ka vendosur me autoritetet turke, që mesa duket kanë rekomandimin të shtrijnë vizionin e erdoganizmit  edhe në Universitetet laike të Shqipërisë, në frymën e re të vllazërisë që ka inspiruar udhëheqja.

Në prani edhe të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, kreu i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim Eyup Yavuz Umutlu, u ka sqaruar studentëve në auditorët e Universitetit të Tiranës rrezikun e organizatës "Gulen" e cila sipas zyrtarit turk në Tiranë, nëpërmjet shkollave të tij në Shqipëri synon të edukojë breza me mendje dhe zemra të manipuluara.
“Ne na bie një barrë e madhe për të sqaruar në çdo detaj elementët e kësaj organizate terroriste. Ka të bëjë me çështjen tonë sepse çështjen tonë direkte sepse arsimi është një ndër fushat që kjo organizatë ka hedhur rrënjë. Arsimi është elementi kryesor në edukimin e njerëzve dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Por gjithashtu edhe organizata ‘Feto’ është e vetëdijshme për këtë. Ne mendojmë se nëpërmjet edukimit do të krijojmë breza me mendje dhe zemër të lirë. Ky është elementi i parë i zhvillimit. Ata kanë për synim të nxjerrin breza me mendje dhe zemra të manipuluara”, deklaroi Eyup Yavuz Umutlu, Koordinator i TIKA në Tiranë. 

Ministrja e Arsimit tha se ky komunikim është i papranueshëm gjë të cilën deklaroi se ja kishte  shprehur edhe personalisht ambasadorit turk në tryezë.