Është pak t’i quash skandaloze deklaratat e Shpëtim Idrizit se nuk do të pranonte transfuzion gjaku nga një qytetar grek në rast nevojë për jetën. Aq më tepër që ky personazh i gërshetuar në rastin konkret mes politikës dhe estradës përfaqëson Kuvendin e Shqipërisë, është nënkryetar i parlamentit. Edhe nëse nuk do ishte nënkryetar i parlamentit, por vetëm kryetar i një partie politike në çdo rrethanë pohimet e tij janë të papranushme dhe përjashtuese për normat demokratike të bashkëjetesës dhe të drejtave të njeriut. Shpëtim Idrizi ishte i ftuar në "Fiks Fare", një emision humoristik që me rastin e fushatës po shfrytëzohet si tribunë elektorale nga personazhe që mesa duket ua lejon formati të lëshojnë të tilla mrroklla që kapërdihen me humorin kaps të motivuar nga sportiviteti i fushatës dhe patriotizmi në modë. Një pyetje dhe një përgjigje që nuk kanë nevojë për shumë  koment, kur kuptohet se i shërben vetëm një aspirate, asaj të votës që prodhon të qënit antigrek për të mbajtur në tepsinë e pushtetit zotërinë në fjalë dhe të tjerët nga pas që lodhen për atdheun.

Bashkëbisedimi në Fiks Fare:

 Fiks Fare -  Supozojmë je keq të duhet gjak dhe nuk ka gjak në Shqipëri, duhet të vijë vetëm nga Greqia. Do e marrësh ti gjakun grek?

Shpetim Idrizi - A  ka mundësi të mos ma thoni se nga vjen ky gjaku kur të ma jepni, më mirë të mos e di. Por mund ta marr edhe në subkoshencë se sa të më thoni gjak grek do më bjerë të fikët e do ma jepni prapë. Por përveç kesaj unë nuk kam asgjë me grekët, përkundrazi ne duam të shkojmë atje në tokat tona pra të fitojmë të gjitha të drejtat tona”.