Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati, ka deklaruar sot gjatë një interviste në Top-Story se Shqipëria dhe Greqia janë shumë afër gjetjes së një mirëpkuptimi të ri për çështjen e ligjit të luftës.
“Është një çështje që nuk do të doja të prodhoja lajm, por me bindje të plotë them sonte që për ligjin e luftës jemi shumë herë më afër zgjidhjes seç kemi qenë para një apo dy vitesh”, tha Bushati.
Ai nuk ka zbuluar detaje, por nëse një gjë e tillë realizohet, atëherë procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve është më i afërt. Bushati ka folur për kërkesat e Greqisë për minoritetin grek, ai ka nënvizuar se Shqipëria ka përmbushur angazhimet e veta, ndërkohë që edhe ligji i ri për pakicat i përgjigjet një prej 12 rekomandimeve që i janë vënë vendit tonë, që në origjinë është një propozim i Këshillit të Europës.
Bushati ka sjellë në vëmendje se Greqia vetë nuk është pjesë e Konventës Kuadër për Minoritetet dhe nuk e ka një ligj për pakicat, por siç u shpreh ai, “kjo nuk na ka penguar neve të bëjmë punën tonë”.
I pyetur për marrëveshjen e detit, ministri la të kuptohet se palët janë larg njëra-tjetrës.
“Ndërmjet ekspertëve tanë dhe atyre grekë ka pasur seanca konsultimi dhe shkëmbimi pikëpamjesh. Nuk jam në gjendje të them sonte tërheqjen e palëve sa i takon qëndrimeve të tyre, por janë ideuar gjurmët që mund të çojnë në një marrëveshje të re. Nuk bëhet fjalë për negocim apo rinegocim të marrëveshjes së pare”, tha ai.