PD dhe LSI kanë hyrë qartazi në një aleancë të konfirmuar politke, duke shfrytëzuar rrethanat e krijuara pas çështjes Tahiri dhe dosjes Habilaj. Tashmë me një kërkesë të zyrtarizuar për largimin e kryemiistrit Rama, pas një tryeze që themeloi Frontin e ri opozitar.
"Jemi të bindur se drejtuesi dhe përgjegjësi kryesor i lidhjeve të krimit e narkotrafiqeve me kupolën e lartë të shtetit dhe përfaqësuesi kryesor i narkoshtetit, interesave të oligarkisë dhe të korrupsionit është kryeministri Edi Rama.
Ky Front kërkon: largimin e kryeministrit nga drejtimi i qeverisë si përgjegjësi kryesor i lidhjeve të krimit me kupolën qeverisëse, si përfaqësuesi i interesave të korrupsionit dhe oligarkisë, si ideatori dhe realizuesi i blerjes së votave dhe kërcënimit të votuesve.
Ky Front i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë urgjent dhe të kryejë me shpejtësi, në përputhje me dispozitat kushtetuese e ligjore, hetimin për ish-Ministrin Sajmir Tahiri, të hetojë edhe lidhjet e ministrave të tjerë të kesaj qeverie me trafiqet dhe implikimin e tyre në bashkëpunimin kriminal për blerjen e votës në 25 qershor 2017"- thuhet në deklaratë.