Partia Demokratike informoi këtë të mërkurë mbi një takim të kryetarit të saj Basha me ambasadorin amerikan në Tiranë, Donald Lu.  Deklarata nuk lë vend për hamendësime, të paktën sa i takon qëndrimeve që do të mbajë PD në vijim. Hendeku mes palëve duket se është zmadhuar sidomos pas qëndrimeve që ambasada amerikane mbajti pas seancës së tensionuar për zgjedhjen e kryeprokurores së përkohëshme. Në deklaratë shprehen hapur rezervat për ambasadorin LU, që sipas Partisë Demokratike nuk u shërben as interesave të shqiptarëve dhe as të qeverisë amerikane.

Kryetari Basha theksoi se interesat e shqiptarëve dhe të SHBA shërbehen vetëm duke dënuar kthimin e Shqipërisë në një vend të drogës dhe krimit, duke mos toleruar lidhjet e qeveritarëve me drogën dhe krimin dhe duke kërkuar nxjerrjen para drejtësisë të tyre. Kryetari i Partisë Demokratike i shprehu ambasadorit amerikan qëndrimin e pandryshueshëm të PD për të bërë të gjitha përpjekjet që vendi t’i rikthehet kushtetueshmërisë dhe politikanët e lidhur me krimin, nga Saimir Tahiri tek Vangjush Dako, të përfundojnë para drejtësisë. Asnjë kompromis dhe asnjë interes pragmatik politik nuk do ta ndryshojë këtë qëndrim