Sot ka shkruar për votën e Shqipërisë në OKB për Jeruzalemin edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Nuk është hera e parë këto ditë që z. Berisha flet për këtë çështje, por shkrimi i sotshëm pason një serial konspirativ të opozitës që po kërkon të na bindë vetëm për një gjë: Edi Rama është antiamerikan dhe cenon raportet me SHBA-në. 

https://www.facebook.com/SaliBerisha/posts/925904694237105

Ky është një konstatim shumë problematik qoftë edhe në planin logjik, pasi z. Rama e di fare mirë se nuk ka pse ta prodhojë këtë kosto për veten. Por nuk ka rëndësi kjo edhe aq. Rëndësi ka argumenti që një ish-president dhe një ish-kryeministër sjell për një çështje të tillë. Lexojeni shkrimin e z. Berisha dhe aty mund të kuptosh vetëm një gjë: z. Berisha duke iu referuar vetëm bindjes së vet, na thotë se votën e qeverisë shqiptare në OKB e ka kushtëzuar një palë e tretë.

Nuk është hera e parë që  ndodh kjo lloj politike. Mirëpo z. Berisha duhet të sqarojë me prova dhe të dhëna të besueshme se kjo ka ndodhur vërtet. Se ka patur negociata, presione, takime etj., mandej të na sqarojë se cili është interesi I këtij pazari hipotetik.

Duhen emra, emra shtetesh të paktën, kompanish, duhen emra biznesmenësh etj.. Aq më tepër është e natyrshme një kërkesë e tillë, kur jemi dëshmitarë se akuzatorët dhe denoncuesit dixhitalë të sjellë nga z. Berisha janë të të gjitha fushave. Dhe nuk është në nderin e një ish-presidenti që ta ndalë masën e denoncimit tek emri i ndonjë polici, doganieri, tatimori. Duhen disa denoncime edhe më të mëdha.

Kjo ka të bëjë  me besueshmërinë, pasi vështirë se ka ende naivë që besojnë se opozitës po i digjet xhani për shqiptarët dhe SHBA. Shfletoni pak mediat opozitare të muajve nëntor të vitit të shkuar kur në SHBA zhvilloheshin zgjedhjet presidenciale. Me siguri do gjeni brohorima për Clinton, madje deri ditën e zgjedhjeve kur nuk dihej nga do shkonte.

Është e qartë se kjo opozitë klloun që bën Pazar me pushtetin nga mëngjesi në darkë, nuk mund të bëjë simpatizantë në këtë kauzë. Sepse ajo nuk po prodhon debat dhe as po krijon kushtet për llogaridhënie. Ajo nuk po i lë njerëzit të analizojnë, por po bërtet sa ka në kokë dhe po bën pretencë. Dhe është kjo opozitë që kur bëhej reforma në drejtësi ulërinte për sovranitet. Meqë nuk e ka këtë aftësi, atëherë le të na thotë ca të vërteta, me fakte dhe prova. Që të paktën ta marrim seriozisht kur përfaqësues të saj flasin edhe pse kuptohet se flasin për tjetërkënd dhe të tjera qëllime. 

Është e tepërt edhe për shqiptarët, që të besojnë se për këtë çështje të mund të ketë denoncime nga ambasada dixhitale, apo ndonjë monarki dixhitale, dashamirëse ndaj kauzës opozitare në Shqipëri.