Qeverisja e Edi Ramës është e dështuar. Dhe më tej, qeveria e Edi Ramës është në vijimësi lajm i keq për Shqipërinë. të dyja këto teza apo deviza politike janë brenda kontesktit politik objektivisht të pranueshme. Edhe logjika ta do që këto pohime të jenë të vërteta. Puna është se nga kjo e vërtetë te mobilizimi për të ndryshuar diçka qëndron një det i tërë.

Detyrën për ta bërë këtë teorikisht e ka opozita, e cila ka në dorë shumë instrumente. Në Shqipëri kemi një anomali: nuk ka opozitë të vërtetë. Dhe brenda kësaj anomalie ka edhe një mutacion që quhet LSI. Ky mutacion që po agreson çdo gjë pozitive të mbetur, merr me vete edhe farën e vetëshkatërrimit që ushqehet te budallallëku politik dhe malinjiteti I përditshëm i deklaratave dhe qëndrimeve që fyejnë çdokënd dhe i konsiderojne njerëzit qenie që mund të ndërsehen.

Një  nga njerëzit kryesorë të kësaj partie, Petrit Vasili, shkruan sot se Edi Rama ka një skenar për të mbajtur Shqipërinë larg Europës, sepse ai synon të mbulojë transaksionet e parave të pista që po do t’i pastrojë.

“Ky skenar i cili eshte ideuar dhe sponsorizuar ne nje shtet te te rendesishem te lindjes pas zgjedhjeve te qershorit 2017, me objektivin e ndertimit te alibise, qe do ta lejoje kryeministrin te legjitimoje bashkepunimin per operacione politiko-financiare okulte me shtete te vendosura fort kundra bllokut te BE.

Krijimi i tensionimit artificial politik,bllokimi i reformes ne drejtesi permes delegjitimimit te saj,vijimi i operacioneve te medha te pastrimit te parave qe vijne edhe nga lindja...ishin shtyllat e skenarit "integrimi i pamundur"

Kjo kishte synim qe duke pamundesuar ecjen e integrimit europian te pengohet dhe evitohet syri i "bezdisshem" i europianeve ne transaksionet e medha financiare me qellim pastrimin masiv te parase se trafiqeve dhe asaj te lindjes...dhe te nxjerrjes se valutes jashte vendit”, thotë Vasili.

Sigurisht që ky mesazh pajton në vetvete natyrën policore të sjelljes politike të LSI-së, me ambcien dhe nervozizmin e saj përkundrejt pushtetit që humbi. Aty gjejmë edhe koeficientin e inteligjencës që përshkron këtë forcë politike, e cila duket se skenarin sorosian për Edi Ramën po e kalon në një valle tjetër: skenarin lindor, me gjasë rus.

Pse është fyese dhe e trashë një politikë e tillë?

Së pari sepse pas 27 vjetësh pluralizëm, qytetarët mësuan se asnjë kryeministër nuk ka qenë, nuk është dhe nuk mund të jetë aq i fuqishëm sa thuhet në deklarimet e opozitës së radhës. Asnjë pushtet në Shqipëri nuk është në gjendje të strukturohet për operacione kaq të ndërlikuara sa kjo e pastrimit masiv të parave, që në çdo rrethanë, është një çështje ndërshtetërore.

Së dyti, sepse asnjë shqiptar, ose shumë pak shqiptarë të thjeshtë e shohin Europën si aspiratë përtej një shansi për punësim. Çka do të thotë se për një shqiptar normal mjafton të ketë mundësi të lëvizë lirisht në Europë, që të mos shohë në ekrane fytyra si Edi Rama, Ilir Meta, Petrit Vasili apo Monika Kryemadhi, të cilëve u ka rënë barra që ta orientojnë Shqipërinë kulturalisht drejt Europës.

Nga kjo pikëpamje është disi e pakuptimtë se përse duhet të shqetësohet një shqiptar i zakonshëm se Edi Rama po synon të qarkullojë qindra milionë euro? Ky me siguri është shqetësim i LSI-së dhe PD-së, që po vërdallosen rreth tryezës së pushtetit prej dekadash.

Dhe së fundmi, është fyerje dhe të vjen pështirë të shohësh edhe sot pas 27 vjetësh sesi parti politike apo politikanë flasin me kode dhe me gjuhë shantazhi për çështje që sikur të jenë të vërteta duhet të jenë pjesë e debatit publik. Patjetër që kjo është shumë, tepër, t’i kërkohet LSI-së, por të paktën, partia në fjalë që ka edhe një president nga radhët e veta, duhet t’ia kursente vetes opozitarizmin histerik dhe banal me teza konspirative dhe me prezumime politike.

Koha kërkon që kjo ndërgjygjësi verbale politike të marrë fund, qoftë edhe sepse me reformën në drejtësi, të cilën LSI-ja e ka për zemër, e bashkë me të edhe partnerët e pisllëkut politik, Edi Rama dhe Lulzim Basha, çdo deklaratë mund të shënohet në regjistrin penal. Dhe një drejtësi e vërtetë nuk bën dallim as për peshqit e mëdhenj, as për të vegjlit si Vasili apo Taulant Balla në krahun tjetër.