Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange i është bashkuar korit të njerëzve të njohur që po parlajamërojnë rrezikun ekzistencial që i vjen njeriut nga inteligjenca artificiale. Përmes një statusi në Twitter, Assange, vetë një protagonist i shekullit të 21-të dhe epokës teknologjike, akuzon edhe kompanitë e mëdha si gjeneruese dhe përçuese të këtij rreziku që duket se po hyn në axhendën publike me shumë forcë.

E ardhmja e njeriut është beteja mes njerëzve që kontrollojnë makinat dhe makinat që kontrollojnë njerëzit.

Ndërsa internet ka sjellë një revolucion në aftësinë tonë për edukuar njëri-tjetrin, shpërthimi demokratik që pasoi ka tronditur establishmentin aktual në zemër të tij. Supershtetet dixhitale që janë në ngritje si Google, Facebook dhe ekuivalentët e tyre kinezë, që janë integruar në rendin e tanishëm, po lëvizin për të marrë në kontroll diskursin. Ky nuk është një aksion thjesht korrigjues. Ndikim I pakuptueshëm masiv social, I fuqizuar nga inteligjenca artificiale është kërcënim ekzistencial për njerëzimin.

Ndonëse ende në hapat e parë, natyra gjeometrike e kësaj prirjeje është e qartë. Fenomeni në fjalë ndryshon nga përpjekjet tradicionale për formësimin e kulturës dhe politikës, duke vepruar në një shkallë, shpejtësi dhe një stërhollim në rritje që me shumë gjasë do të eklipsojë kundërmasat e njeriut.

Lufta bërthamore, ndryshimet klimaterike apo pandemitë globale janë kërcënime ekzistenciale për të cilat ne mund të punojmë së bashku me bashkëbisedim dhe mendim. Diskutimi është sistemi imunitar i njerëzimit për kërcënimet ekzistenciale. Sëmundjet që infektojnë sistemin imunitar janë zakonisht fatale. Në këtë rast në një shkallë planetare

shkruan Assange.

Vitin e kaluar pati disa nisma publike për të rritur vëmendjen ndaj kërcënimit që vjen nga inteligjenca artificiale dhe mes emrave më të njohur në këtë drejtim ishin fizikani I njohur Stephen Hawking dhe miliarderi dhe novatori Elon Musk. Debati për pasojat e inteligjencës artificiale sidomos në fuqizimin e jashtëzakonshëm dhe të pakontrollueshëm që përdorimi i saj sjell për kompani si Google, është shumë i madh dhe duket se do të shenjojë raportin e këtyre kompanive me shoqërinë për kohën që po jetojmë.