Furtunë politike ka shkaktuar në Kosovë, arrestimi i 6 personave të etiketuar si gylenistë. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një shkrese zyrtare dërguar Ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefajt, ka kërkuar dorëheqjen e tij.

“Dua edhe njëherë të potencoj se veprimet e djeshme në këtë rast ishin tërësisht të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat dhe parimet tona si popull dhe si shtet. Duke marrë parasysh se si Kryeministër i Republikës nuk kam qenë paraprakisht apo me kohë i informuar nga Ministria që ju drejtoni, kërkoj nga ju: Lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia e Ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës” thuhet në dokumentin e siguruar nga Indeksonline.

Kryetari i Grupit Parlementar të LDK-së, Avduallah Hoti deklaroi në kuvend se LDK nuk e përkrah deportimin e gjashtë shtetasëve turq dhe se shkarkimi i ministrit të brendshëm nuk është i mjaftueshme. "Ne nuk lejojmë që institucionet e Kosovës të komandohen nga Turqia, kjo është skandaloze për shtetin"- deklaroi Hoti. 

Kjo çështje vë edhe më shumë në diskutim qëndrueshmërinë politike të qeverisë Haradinaj pas daljes nga koalicioni të Listës Serbe për shkak të incidentit me arrestimin e shefit të Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriç.