Grupimi “Tifozat Kuq e zi” ka akorduar sot çmimin “O Sa Mirë Me Qenë Shqiptar” për Lorik Canën. Lajmin e bën të ditur televizioni kombëtar, Top-Channel që i bën një asist edhe gazetarit folklorik Merin Mema, për të cilin shkruan se është pritur me ovacione në takimin e mbajtur me këtë rast. Madje lajmi për ovacionet ndaj Maros është më i gjatë sesa lajmi për vetë çmimin dhënë Lorik Canës.

Cili është kuptimi i këtij çmimi? A mundet ta gjejë dot njeri? Cili është kuptimi i një çmimi që jepet në një shoqëri që ka 1.4 milionë emigrantë me 1.7 milionë të tjerë që duan të ikin? Cili është kumti i një çmimi të tillë, si të shpjegohet ky entuziazëm, ky egoiëm dhe kjo vetëkënaqësi në një vend që është në fund për çdo vlerë?

Ky nuk është nacionalizëm të cilin mandej ta konsiderojmë në ëmnyrë ofensive si strehë. Aspak. Ky është një lloj ceremonie dionisiake katundareske me qeleshe dhe flamur, ku histeria e fjalës shqiptar është kolonë zanore. A mund të marrësh pjesë në ceremoni të tilla si spektator? A mund të pranohesh si shqiptar i tjetër lloji në këto mejhane simbolesh kombëtare që po ulen në rangun e një heraldike lagjarësh që kanë si talent vetëm ulërimën?

Që këtej mund të kuptohet edhe ajo histeria tjetër ndaj një komentatori që u shpreh se në iks kampionat është tifoz me Serbinë. Ishte ky grupim që nisi gjyqin kolektiv dhe që kërkonte largimin e tij nga televizioni publik. Mund të mirëkuptohet deri diku turravrapi i këtij budallallëku, pasi në fund të fundit, në shoqëri kaq mediokre si jona, që nuk konkuron dot me asgjë, dikur do të nxirrte krye kombësia si cv e talenteve imagjinare dhe cilësive apo virtyteve të hiperbolizuara.

Por nuk mund të mirëkuptohet sjellja e një televizioni kombëtar që i bashkohet kësaj tallavaje me gaz e hare, e që i ngjan atyre situatave kur vihesh në siklet ngaqë po të përlavdërojnë pa doganë.

Po sikur një ditë të shpërndahet çmimi “Libohoviti”, “Zagoriti”, “Kuçioti”, apo edhe “Skraparlliu” i vitit, larg pasthirrmave “ooohhh sa mirë”, çfarë do themi? Se të qenit zagoriti apo elbasanlliu i vitit është një shkallë më poshtë sesa ai që merr “o sa mirë me qenë shqiptar”? Ka që tremben nga nacionalizmi shqiptar. Në të vërtetë ky as nacionalizëm nuk është. Kjo është një turfullimë frustrimesh, një inat e një mllef i një shoqërie që dështimin e vet e fsheh në akuzat ndaj të tjerëve për të ngritur lapidarë të një krenarie të rremë pse ose mashtron veten, ose ka keqkuptuar historinë e vet.