Mbijetesa e Qeverisë Haradinaj e varur nga pezullimi i tarifës

Këtë titull e sheh tashmë në faqet online shqip, që i mëshojnë një ideje që e kërkon shkakun e krizës politike në Kosovë te vendimi i qeverisë së z. Haradinaj për vendosjen e tarifës 100% për mallrat serbe. 

Serbia pra dhe vajtimi i saj ndërkombëtar, që vazhdon prej më shumë se 100 vjetësh, bashkë me vrasjet e fëmijëve, grave dhe pleqve, tipar dallues nacional i saj, po përcakton edhe njëherë stabilitetin e një qeverie shqiptare. Ndodh kjo për arsye që janë të qarta: ne të keqen e kemi brenda. E kemi mes nesh dhe ajo paraqitet me arsyetime dhe pushtet, është në Tiranë, në qeverinë e Shqipërisë. Në Prishtinë te presidenti i Kosovës. 

Serbia luan fijet e të huajve duke kërkuar viktimën e radhës që është qeveria e Kosovës. Por këta filoamerikanë me kombësi shqiptare që rendin kaq kollaj nga një pabesi në tjetrën, vetëm e vetëm për të blerë karrigen e tyre, në të vërtetë e kanë të qartë se tarifa përcakton mbijetesën e qeverisë, por jo të Haradinajt. Që në këtë rast ngjan se është zëdhënës jo i vetes, por i një pjese të opinionit shqiptar të cilin e kanë lënë në baltë patriotët largpamës të tipit Rama-Thaçi. 
Sillet si argument gogoli amerikan. SHBA kështu e SHBA ashtu. Pritet një telefonatë nga Boltoni, një letër nga Trump. Gjumi s’të zë sikur të kesh ditën mbushur me këto zhvillime.

Por ato nuk impresionojnë më. Sepse hajdutët e Tiranës dhe të Prishtinës në fakt nuk lënë vend që shqiptari të çuditet më. Sa për z. Haradinaj ai le të shohë nga precedent i z. Lulzim Basha, i cili na tha se paktin me Edi Ramën në maj të vitit 2017 e bëra se ma kërkuan amerikanët. 
Sot Basha po vjen vërdallë si pordha nëpër brekë, me sjelljen e ministrit për Opozitën sepse eci me fjalë amerikanësh. Të cilëve aq u bën se çfarë ndodh pas. Në këtë kuptim përballja me SHBA e z. Haradinaj është ndër më të shëndetshmet për politikën shqiptare.

Sot disa media në Tiranë përhapën fjalën se Bolton do marrë në telefon edhe Edi Ramën. I cili po vuan vetminë e atij që nuk e begenis më kush. Atij i duhet një telefonatë që t’u thotë shqiptarëve që ja mua më merr dikush. Është një iluzion i pashkëputur kjo varësi e pushtetit nga fjalë ambasadorësh, ndërkohë që këta të fundit janë të vetmit që nuk shohin te pushtetarët e Tiranës, hajdutin dhe banditin. Kujt I duhet pra kjo Amerikë që investon te korrupsioni si model stabiliteti?