Në mediat ndërkombëtare pasqyrohet sot një deklaratë e Presidentit të Parlamentit Europian, Antonio Tajani për situatën në Shqipëri. Në kuadër të një vizite në OKB ai e quajti situatën në në vendit tonë si shumë të vështirë, ku ka filluar një “luftë civile”, (në thonjëza), midis qeverisë dhe opozitës. 

Tajani i referohet Shqipërisë për të paraqitur një panoramë komplekse të situatës në Ballkan ku sipas tij konflikte të brendshme po kërcënojnë stabilitetin e rajonit.

Nuk e panë kaq kritike situatën në fakt, eurodeputetët që vizituan Tiranën këtë javë, të cilët e quajtën Parlamentin dhe qeverinë legjitime, madje Knut Flekenshtein u shpreh optimist se rolin e opozitës mund ta bënin më së miri deputetët zëvendësues. 

Dy optika të ndryshme nga rrogëtarët e PE; luftë civile dhe demokraci legjitime njëkohësisht, diçka e ngjashme me situatën në Venezuelë, por jo saktësisht ashtu pasi konsideratat për qeverinë dhe opozitën janë të ndryshme.

Në fakt shqetësimi konstant i ndërkombëtarëve për Shqipërinë fatkeqësisht vijon të jetë stabiliteti, pasi për demokracinë jemi ende herët mesa duket, edhe pse po mbushen 30 vjet pluralizëm.