Është publikuar në këto çaste fotografia e parë reale e një virme të zezë që ndodhet në galaktikën M87, 500 triliardë km larg. Vetë vrima e zezë e fotografuar konsiderohet një përbindësh për nga përmasat: 40 miliardë km në diametër dhe me masë 6.5 miliardë herë më të madhe sesa ajo e Diellit tonë.  Shkencëtarët mendojnë se kjo është një ndër vrimat e zeza me masën më të madhe që ekziston.  

Fotografimi u propozua nga prof. Heino Falcke nga universiteti Radboud në Hollandë dhe ai u krye nga tetë teleskopë  të lidhur me njëri-tjetrin.

“Aureola” e ndritshme që qarkon vrimën e zezë shpjegohet me gazrat e tejnxehura që bien në të. Drita në atë që quhet perimetrin e saj është më e ndritshme se drita e të gjithë yjeve të galaktikës të marrë së bashku. Kjo është edhe arsyeja pse ajo duket që nga Toka.

Imazhi përputhet me atë që fizikanët teorikë dhe në fakt edhe regjizorët e Hollivudit kanë imagjinuar për vrimat e zeza

është shprehur një prej pjesëtarëve të ekipit që mori pjesë në eksperiment.

Vrimat e  zeza janë një ndër dukuritë më misterioze dhe interesante të universit. Ato përkufizohen si rajone të hapësirë-kohës që kanë forcë gravitacionale të jashtëzakonshme, aq sa thithin edhe dritën. Ato u teorizuan fillimisht nga Ainshtain në teorinë e përgjithshme të relativitetit që sugjeron se një trup me masë kompakte të mjaftueshme mund të shformojë hapësirë-kohën. Vrimat e zeza yjore dallojnë nga të ashtuquajturat vrima të zeza primordiale dhe ato krijohen si pasojë e rënies së një ylli shumë masiv në vetvete, pra kur energjia e tij konsumohet dhe reduktohet në masë shumë të dendur. Procesi i shkatërrimit të një ylli mund të çojë edhe në supernova që është një shpërhtim me përmasa të jashtëzakonshme.