Prishtina paralajmëron qeverinë shqiptare se mund të rrisë tarifat për mallrat shqiptare nëse nuk hiqen  barrierat ndaj importeve nga Kosova. Qeveria e Haradinaj ka protestuar fuqishëm ndaj Tiranës, pasi marrëveshja bilaterale për liberalizimin e importeve të miellit, birrës dhe patateve nga Kosova nuk është zbatuar plotësisht.

Burime të mediave në Kosovë thanë se Haradinaj i ka dhënë dy muaj kohë qeverisë shqiptare për heqjen e tarifave për tre produktet e sipërpërmendura, duke kërcënuar se në të kundërt do të përdorë masa të ngjashme me ato ndaj Serbisë.

Në takimin e së mërkurës, zyrtarë të ministrive të Tregtisë të Shqipërisë dhe Kosovës, nuk arritën një marrëveshje dhe për këtë qeveria e Kosovës bën përgjegjëse qeverinë e zotit Rama.  Vlen të përmendet se Kosova është partneri i dytë më i madh tregtar i Shqipërisë, vetëm pas Italisë.

Bizneset e të dyja vendeve kërkojnë rishikimin e dy tarifave: atë të rrugës së Kombit, ku pagesën për ta duhet ta bëjë buxheti i shtetit dhe negocim me koncesionarin për të ulur tarifën 22 euro për skanimin e mallrave për çdo deklaratë doganore që plotësohet.  Vetë ministrja e Financave premtoi dy ditë më parë se do të nisin bisedimet për të të riparë tarifën dhe mënyrën sa herë paguhet ajo për mallrat që skanohen.