Shqipëria mundet shumë shpejt të gjendet para nevojës së një zgjedhjeje në politikën e jashtme që implikon marrëdhëniet me një shtet të rëndësishëm si Turqia. Në qeverinë e Edi Ramës marrëdhëniet me këtë vend u mjegulluan shumë sa nga zhurma e madhe  për partneritet strategjik që nuk rikonfirmoi ndonjë gjë konkrete aq edhe nga një marrëdhënie e pakuptueshme personale e z. Rama me presidentin Erdogan. Madje kjo e fundit përcaktoi shumë më tepër sesa partneriteti strategjik përderisa vota shqiptare për Jeruzalemin, ndërtimi i xhamisë apo edhe memoriali i Tiranës janë akte simbolike dhe me rëndësi që i ngjajnë qokave më shumë sesa ndonjë vendimmarrjeje strategjike. 

Aktualisht Turqia e Erdoganit ka shpalosur ambiciet e veta të cilat nuk mund të shtrëngohen më nga detyrimet e sigurimit kolektiv që përvën qenia në NATO. Ndëryrja turke në Siri ka krijuar sentimente të ndryshme në Perëndim. P.sh agjencia gjermane Deutsche Welle raporton për një sondazh të fundit sipas të cilit 58% e gjermanëve mendojnë se Turqia duhet përjashtuar nga NATO. Ky është një opinion që është ende larg vendimmarrjes reale, pasi në Perëndim dominon ende mendimi se me Turqinë duhet gjetur gjuha e bashkëjetesës. Nga ana tjetër po sot u njoftua se Kongresi amerikan ka miratuar një rezolutë që njeh genocidin armen. Siç dihet, të gjitha shtetet që njohin genocidin si term perceptohen se ndjekin politikë antiturke, apo të paktën cenojnë interesin shtetëror turk. 

I njëjti sondazh tregon se 61% e gjermanëve janë në favor të sanksioneve ndaj presidentit turk Erdogan, çka do të thotë se kundrejt Ankarasë ka dyfish kundërshti. 

Duket se shantazhet e Erdogan me refugjatët nuk kanë kaluar pa u mbajtur shënim, sikurse po bëhet e qartë se kreu i Turqisë nuk ka ndërmend të lidhë duart ambicieve të veta pse Europa bën apel. Vitin e kaluar Parlamenti Europian anulloi procesin e negociatave të anëtarësimit me Turqinë pas më shumë se 30 vjetësh duke vendosur përfundimisht distancë sigurie me myslimanët e Turqisë që nuk konsiderohen europianë. 

Vendime si këto apo opinione të tilla në Europë, herët apo vonë do të ngrihen në nivel të gjerë dhe Shqipërisë do t’i duhet të marrë një krah. Partneriteti strategjik me Turqinë, firmosur në tetor të vitit 2018 është një dokument që vjen në emërues të përbashkët me angazhimet e Shqipërisë në atë që quhet familja euroatlantike. Shkëputja e Turqisë nga ky bosht do të imponojë rishikime. Por cilat do të jenë ato nuk dihet, sidomos me qeverinë e tanishme. 

Zoti Rama ka bërë disa lëvizje tipike të teatrit politik. Ai ka takuar Mitsotakis, ka folur për financues italian të aeroportit të Vlorës që më herët u negociua me turqit, sikurse ka rralluar kontaktet publike me palën turke. Akti më i fundit, në kufijtë e paturpësisë ishte deklarata se strehimi i muxhahedinëve iranianë barazohet me shpëtimin e hebrejve në Luftën e Dytë Botërore.

Në media, po flasin përherë më shumë gazetarë që kanë rrëmbyer flamurin e Amerikës, madje edhe në sfidë ndaj Europës shpërfillëse, por sa përfaqëson kjo një vijë politike mbetet e dyshimtë. Të gjitha këto akte të një diplomacie simuluese ndodhin dhe nxiten në kushtet kur politika e jashtme nuk ka një bilanc real. 

Pyetja që shtrohet aktualisht në dritën e zhvillimeve ndërkombëtare, pra si do të veprojë Shqipëria në një realitet kur Turqia i largohet marrëdhënieve me Perëndimin, madje kalon në anatgonizëm me të, nuk ka karakter provokativ, por përgjigja ndaj saj në kuptimin se ajo qëndron pavarësisht se nuk shtrohet publikisht, mund të jetë e tillë. Sepse ky është karakteri i sjelljes publike të z. Rama që preferon që edhe politikën e jashtme ta personalizojë.  Por ky është një zhvillim që nuk menaxhohet dot as me vendime të tipit “kena Amerikën”, as me dënglat e vetëkënaqësisë së dikujt që shpalli ëndrrën zero probleme me fqinjët dhe përfundon që po drejton një varkë që e ka ngrënë mola nga brenda dhe kurrkush nuk i ofron limanin e emergjenës.

Re.Pu