Prej disa ditësh vazhdon tashmë debati për anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Debate është përqendruar mbi afatet e dekretimit nga presidenti, organin e emërtesës, ishte Arta apo Marsida. Hollësi padyshim të rëndësishme, por që kanë anashkaluar një tjetër aspekt.

Në faqen online të Gjykatës Kushtetuese është përditësuar përbërja e saj duke përfshirë si gjyqtarë përveç Vitore Tushës dhe Besnik Muçit edhe tri kandidatet e reja, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji.

Nëse sheh përvojën e punës së këtyre tri kandidateve merr vesh se asnjë prej tyre nuk ka qenë gjyqtare në asnjë shkallë. Këshilltare, lektore, avokati, pjesë e grupit të ekspertëve etj.. Gjithë një CV e një kandidati të formuar teorikisht, por që nuk e njeh shenjën që lë përgjegjësia e një vendimi në sallën e gjyqit.

Të trija këto kandidate që nuk kalojnë moshën 44 vjeçare kanë veshur togën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese duke u vendosur në një detyrë sumë të lartë dhe që kërkon përgjegjësi.

Përvoja në një institucion si Gjykata Kushtetuese është premisë për seriozitetin dhe besueshmërinë e saj dhe duhet thënë se ndër vite, ky institucion ka fituar besueshmëri më të madhe sesa pjesa tjetër e gjyqësorit, pikërisht për natyrën dhe karakterin e vendimeve që ka marrë.

Përtej konsideratave të absolutizuara të vettingut, profesionalizmi i gjykatës nuk është vënë ndonjëherë në diskutim, ndonëse anëtarë të saj kanë qenë njerëz që u skualifikuan.

Si do të komensohet kjo mungesë përvoje në gjyqësor për këta kandidatë të rinj që na shiten si ajka e jurisprudencës, kjo është për t’u parë, por këtu duhet shtuar edhe një gjë tjetër. Anëtari i Gjykatës Kushtetuese hyn në të edhe në shenjë të kurorëzimit të karrierës së vet të gjatë, si fazë përmbyllëse me sukses të saj. Anëtari I Gjykatës Kushtetuese është si të thuash gradimi me gradën gjeneral. Dhe siç e dimë në historinë e botës gjeneralë poshtë moshës 40 vjeç ka patur shumë pak, kanë qenë njerëz të jashtëzakonshëm të provuar në situate të jashtëzakonshme.

Në Shqipëri gjeneral të bën partia e Taulantit dhe Erionit, sepse në kësisoj vendi kërkohet asgjë më shumë sesa krijimi i institucioneve të animuara ku në këmbim të privilegjeve të duhet vetëm të ushtrohesh në artin e Bindjes dhe teknikat e emotikoneve politike që kaq shumë i ka perfeksionuar ky brez.

Përndryshe, çdo gjykim racional dhe serioz nuk do të pranonte që Fiona, Elsa dhe Marsida të ulen aty ku janë ulur sot. Të paktën jo për momentin.