Irani ka pranuar zyrtarisht se qëndron pas rrëzimit të avionit ukrainas ku vdiqën 176 persona. Presidenti i vendit, Hassan Rouhani ka shprehur në tuiter keqardhjen e thellë për rrëzimin e avionit duke e konsideruar atë një gabim shkatërrimtar.

Mendimet dhe lutjet e mia shkojnë për të gjitha familjet e viktimave. Ngushëllimet e mia më të sinqerta

shton presidenti iranian.

Ai ka deklaruar se hetimi po vazhdon për të sqaruar rrethanat e “kësaj tragjedie të madhe dhe gabimi të pafalshëm”.

Njoftimi zyrtar u bë në mëngjes përmes një deklarate të publikuar nga agjencia ISNA dhe atë e autorizonte Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë iranian. Sipas deklaratës avioni kishte fluturuar në afërsi të një prej objekteve më të rëndësishme ushtarake të Gardës Revolucionare në datën 8 janar kur edhe u godit nga një raketë me rreze të shkurtër.