Turqia e Recep Erdoganit ka vendosur të provojë një zgjidhje ushtarake në Siri. Ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar ka njoftuar se ushtria turke ka nisur operacionin “Mburoja Pranverore” për t’iu përgjigjur siç tha ai sulmeve të regjimit të Assad në Idlib. 

Rreth 2 200 trupa siriane, një dron, tetë helikopterë, 103 tanke, dhjetëra njësi artilerie, tre sisteme mbrojtëse janë neutralizuar

ka deklaruar Akar.

Pala turke interpreton se ka të drejtë të veprojë në mbrojtje të civilëve në zonën e Idlib, e cila me një marrëveshje mes Ankarasë dhe Moskës në vitin 2018 përcaktohet si zonë ku nuk kryhen veprime ushtarke. Para disa ditësh 34 ushtarë turq vdiqën pas sulmeve ajrore siriane që sipas Turqisë janë ideuar nga Rusia. Deri më tani Erdogan ka zhvilluar biseda telefonike me presidentin rus, Putin, ndërkohë që ka vepruar me presion drejt Europës duke hapur dyert për mijëra emigrantë që strehohen në Turqi. 

Ministri i Mbrojtjes Akar ka apeluar për mbështetje nga Perëndimi teksa ka theksuar se ndërhyrja turke ka naturë humanitare dhe synon ndër të tjera edhe ndalimin e fluksit migrator.  Ai ma kërkuar nga Rusia që të ndërhyjë që Assad të kthehet në kufijtë e marrëveshjes së Soçit, e cila mesa duket është minuar sapo Erdogan tendosi shumë lojën e vet gjeostrategjike duke ndërhyrë në Libi ku po luan kumarin më të madh të karrierës së vet.