Kryeministri Edi Rama është shfaqur i shqetësuar sot me pamjet e njerëzve që mësynë tregjet. Në një postim në Facebook, z. Rama ndër të tjera paralajmëron:
Ushtria dhe policitë bashkiake do të krijojnë urgjentisht kordonët sanitarë të tregjeve, ndërsa Policia e Shtetit do të godasë shkelësit me masa të reja.
Nëse ky është niveli i kuptimit të detyrës qytetare në frontin e kësaj lufte për jetë a vdekje dhe meqë mesa duket ecurinë pozitive të luftës deri tani, shumëkush po e kupton gabimisht si arsye për t’u lëshuar me idenë se s’na gjen gjë, atëherë përgjigja e shtetit do të jetë reciproke për këdo që nuk do të hyjë në rresht për të mbajtur radhë.
Tirana është vatra më e rrezikshme e luftës. Durrësi njësoj si Tirana mund të kthehet në Vaterlonë tonë. Shkodra është tanimë një bombë me sahat. Fieri është një rrezik i madh potencial. Kudo mund të na iki avantazhi që kemi krijuar, nëqoftëse do ta bëjmë si Kombëtarja Kuqezi që pjesën e parë duket sikur do fitojë, pastaj… Harrojeni, këtë luftë nuk kemi për ta humbur për ata që s’kanë mendje dhe këllqe të luftojnë si mbarë populli shqiptar
Në fakt mbajtja e karantinës strikte do të kërkonte masa organizative reale pasi njerëzit në fakt nuk është se respektojnë ndonjë rregull pa sanksione. Edhe pse ky sanksion nuk mund të jetë burgu.