Partia “Zgjidhja”, e cila është themeluar dhe drejtohet nga Koço Kokëdhima, njëherazi botues i një prej gazetave më të njohura në Shqipëri, “Shekulli”, e ka cilësuar raportin e “Reporterëve pa kufij” për lirinë e medias në vendin tonë si alarmant. Përmes një deklarate, kjo parti vlerëson se liria e medias në vendin tonë është në pikat më të ulëta në 30 vitet e fundit.
Shqipëria ka humbur dy vende në raportin për lirinë e shtypit në botë të “Reporterëve Pa Kufij”, për vitin 2020 dhe duke rënë me 7 vende që prej vitit 2018, në një radhë me vende si Haiti, Kirgistani, Maldivet, Qipro Veriore apo Timori Lindor.
Përkeqësimi i lirisë së medias në Shqipëri përmes të ashtuquajturës paketë anti-shpifje që u votua nga Kuvendi në dhjetor 2019, mbyllja e disa mediave online me akuzën se po përhapnin panik pas tërmetit të 26 nëntorit dhe rritja e kontrollit mbi mediat audiovizive, përmes favoreve ekonomike për pronarët, apo sulmet e shantazhet mbi disa të tjerë, është treguesi i një qeverisjeje autokrate që u mohon gazetarëve dhe qytetarëve aksesin në infomacionin zyrtar. Qeveria kontrollon tregun e televizioneve me lloj-lloj mënyrash përfshirë edhe shpërndarjen e licensave të transmetimit apo privilegjeve, pagesave e favoreve të ndryshme.
Si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e Shqipërisë, qeveria është kthyer në qendrën më të madhe të shpifjeve, gënjeshtrës, mashtrimit, dezinformimit, manipulimit, vjedhjes, shtypjes dhe mohimit të lirisë së informimit të qytetarëve
thuhet ndër të tjera në deklaratë.