Ndodh që ndonjëherë të të vijë keq për ata që merren me politikë në Shqipëri. P.sh kur e njeh dikë personalisht, kur e rrëzojnë pa arsye, apo kur ka fatkeqësi familjare. Rrallë, por mund edhe të ndodhë. Çështja është se eliminimi i raportit human është provë e një krize shumë të thellë e cila herët apo vonë do prodhojë faturën e vet. Një ndër to është mosbesimi ndaj vendit, mungesa e optimizmit për funksionimin e shtetit etj..

Dhe aq më shumë thellohet kjo kur sheh llojin e njeriut që merret me politikë. Pyetja mbi këtë temë mundet të vihet në sprovë serioze me një politikan si Erion Veliaj. Të cilit nuk i vjen keq as për veten, për lehtësinë me të cilën riprodhon publikisht çdo marrëzi, teksa mbron çdo paudhësi dhe prononcohet kameramanisht edhe për artin me fjali që i ngjajnë kopjeve në një provim ku do vetëm 5-ën. 
Tema e Teatrit nxori në pah pozicionin absurd ku e përfshin veten me sportivitet ky gjimnast i paturpësisë. Teatri u shemb, por a fitoi një betejë z. Veliaj? A është ai sot një person të cilin nesër e referon si autor të një teatri të ri? Jo.

Vetë z. Veliaj e di këtë gjë. Ai e pa veten të skicuar si pështymore, ndërkohë që meritën e modernizimit të artit do ta marrë gjeniu i vetëshpallur i kotecsferës ballkanike, kryeministri Rama. I cili ka nisur të flasë pak, në mënyrë lakonike, për ta lënë zhurmën të tretet vetiu. Punën e pistë e bën Veliaj i cili del e justifikon prishjen e Teatrit, teksa lideri e ka të qartë vizionin. 

Në këtë rol mjeran z. Veliaj provon se është i denjë sa më s'ka pasi vetëm një i tillë mund të thotë ato që thotë ai. Pasi akuzoi për muaj të tërë protestuesit si zhurmues sot Veliaj na thotë se ndërkombëtarët kanë pranuar projektin e ri pasi u është shpjeguar se pas 12 seancave dëgjimore me palët e interesuara, Bashkia është tërhequr nga kulla mbi teatër dhe kullat në përgjithësi. Po si vallë kështu: për një pakicë të zhurmshme humbën kullat miliona euro? 

Çështja është se z. Veliaj nuk është tërhhequr nga asnjë kullë, pasi të gjithë e dinë se pas projektit qëndron tjetër kush. Ai nuk ka as tagrin dhe as këllqet të japë ndonjë garanci, pasi p.sh ndonëse premtoi se nuk do të kishte më ndërtime në Tiranë, sot shohim se ato nuk po ndalen. Vallë z. Veliaj është në krye të kësaj politike. 

Zotërisë i kanë dhënë ca letra e në emër të tyre përpiqet të kullandrisë ndonjë argument. Deklaronte sot në intervistë televizive ae asnjë qeveri nuk e ka shpallur monument kulture Teatrin, por harron padashje se të vetmen herë kur u diskutua prishja, qeveria e kohës e refuzoi. Dhe pas protestës së artistëve. 

Kë po gënjen njeri? Askënd. Ai po i shërben vetes si gjenerator fjalësh në mbrojtje të imazhit të dëmtuar. Një objekt nuk mbrohet vetëm mbi kritere juridike, atë e mbrojnë edhe njerëzit që kanë një lidhje me të apo me qytetin. Sot, kryebashkiaku që nuk ka lënë artist dhe gazetar pa përdorur me argumentin e tallashit dhe kompensatës, del dhe argumenton post factum vlerat e objektit. Sepse për Teatrin nuk janë shprehur militantët, por një pjesë qytetarësh që shohin te z. Veliaj një levë shumëpëdorimëshe prej atij që po kërkon të personalizojë një qytet të tërë. 

Vallë nuk e kupton ky njeri pozitën ku e ka futur veten, keqpërdorimin që i është bërë për kompensimin e të cilave ka si armë vetëm zhurmën? Nëse jo, dikush duhet t'i thotë të ndryshojë sepse po ngjan përherë e më tepër si brezi i ri i byroistëve që thoshin me gojën e tyre mendimet e tjetërkujt. Duke mbetur në fund për ironi damka e një kohe që i përkiste tjetërkujt.