Egjipti ka njoftuar krijimin e një aleance anti-turke që synon frenimin e Ankarasë në veprimtarinë e saj destabilizuese në Libi dhe në Mesdhe. Aleanca në fjalë përfshin Greqinë, Qipron, Francën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ajo është zyrtarizuar gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të këtyre vendeve më 11 maj. 

Përmes një deklarate të përbashkët lëshuar pak pas takimit, aleanca pesëpalëshe ka deklaruar se do të fokusohet në kundërshtimin e lëvizjeve turke në ujërat territoriale të Qipros, ku Turqia ka kryer kërkime “ilegale” në Mesdhe në hapësira nën sovranitetit qipriot

raporton Al-Monitor. 

Në këtë lëvizje të re, pozicioni i Francës vlerësohet si shumë i rëndësishëm për shkak të pozitës së saj në BE dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Tariq Fahmy një profesor në universitetin e Kajros, nuk përjashton që aleanca në fjalë të marrë një përmasë ushtarake, një zhvillim ky që ndërlikon tej mase politikën në Mesdheun Lindor. Edhe për një shtet patatinash si Shqipëria. 

Dhunimet e vazhdueshme të Turqisë në Libi dhe në Mesdhe me gjasë do të çojë në militarizimin e aleancës dhe krijimin e një force të përbashkët për mbrojtjen e interesave të vendeve të përfshira dhe për rritjen e koordinimit të informimit strategjik kundër Turqisë

citohet Fahmy.

Një aspekt joformal dhe shumë i rëndësishëm i kësaj që po ndodh është se Franca dhe Greqia po anashkalojnë NATO-n në mbrojtjen e interesave të tyre të sigurisë në një rajon të pasur si Mesdheu Lindor. Njësoj siç ka bërë edhe Turqia e cila ka marrë neutralitetin e ShBA-së për lëvizjet e saj që kulmuan me qarkullimin e një marrëveshjeje për delimitimin e ujërave detare me qeverinë e Tripolit. Ankaraja po kërkon të jetë pjesë e ndarjes së pasurisë në Mesdhe, diçka që nuk mund ta marrë sipas përcaktimeve aktuale të hartës politike, ndaj edhe vazhdon të improvizonë me pretendimet territoriale, apo duke presuar me Sirinë përmes krizës së refugjatëve. 

Në këtë kuadër krijimi i aleancës nga një vend si Egjipti që konsiderohet si zemra e botës arabe dhe nga Franca krijon pikëpyetje të mëdha për një konflikt të armatosur të afërt. Çështja implikon edhe Shqipërinë që së fundmi ka shtuar përpjekjen që të riaktivizojë me rol ushtarak bazën detare të Pashalimanit. Në mediat greke është shkruar se kjo bazë do të kalojë te turqit çka e përfshin patjetër Shqipërinë si aneks të lojërave të Erdoganit në Mesdhe. Aleanca në fjalë është e përqendruar në politikën detare ndaj edhe prezenca e Turqisë në veriun e Greqisë nuk mund të mos krijojë shqetësime sigurie. 

Këtu çështja nuk është se vendi ynë do të përfshihet në ndonjë skenar të nxehtë, sepse atë nuk e llogarit kush në çdo rast, por në faktin se politika në Tiranë ka siguri të shtuara për të qëndruar në pushtet duke shitur marrëveshje të tilla. Vitin e kaluar, ne pamë një lloj rivaliteti mes kryeministrit dhe presidentit në politikën e jashtme, kur vizitave në Turqi të të parit, i dyti “u dha përgjigje” me një vizitë një javore në Egjipt ku u fol për energjinë. Edhe së fundmi Ilir Meta ka lënë të kuptohet se është kundër pranisë ushtarake turke në Shqipëri, një zhvillim që pasqyron jo ndonjë qasje strategjike, por lobimet me të cilat ushqehet politika shqiptare. 

Cilidoqoftë qëllimi i ambicies ushtarake të qeverisë së z. Rama, ato nuk fshehin dot prapavijën turke, teksa pak javë më parë u nënshkrua edhe marrëveshja e bashkëpunimit ushtarak. Sigurisht ne nuk dimë asgjë, as edhe informohemi mbi këto lëvizje që e kanë shndërruar vendin ku jetojmë në plaçkë të katër – pesë hajdutëve.