Opozita ka shpërndarë sot haberin se ka kërkuar që 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare të krijohet një e ashtuquajtur Qeveri Kujdestare e Zgjedhjeve. Propozimi konkret është si më poshtë: 

100 ditë përpara ditës së zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Shqipërisë, miraton përbërjen e Qeverisë Kujdestare të Zgjedhjeve, e cila pas betimit përpara Presidentit të Republikës, fillon ushtrimin e detyrës për të garantuar standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, me funksion të posaçëm ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore. Ky rregull zbatohet deri në hyrjen në fuqi të marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian

Mënyra e organizimit të kësaj qeverie është menduar të rregullohet me një aneks në ligjin për funksionimin e Këshillit të Ministrave. 

Propozimi në fjalë është asgjë më shumë sesa një dezinfektim i dështimit të opozitës aktuale që ka bindur veten dhe po do të bindë edhe miletin se ajo ka humbur zgjedhjet sepse shumica i vodhi. Kur e vërteta është ndryshe: ajo i humbi zgjedhjet sepse nuk e votuan. Njerëz kryesorë në drejtimin e saj e cilësuan rezultatin e vitit 2017 më katastrofikun për PD-në e cila humbi rreth 200 mijë vota të mbështetësve të vet. 

Argumenti i vetëm në këtë kusht që nuk ka sesi të pranohet nga çdo shumicë ështê se Edi Rama vjedh zgjedhjet. Puna është se Edi Rama edhe i fiton zgjedhjet, sidomos me Lulzim Bashën përballë. Madje pikërisht pse është Lulzimi përballë dhe kjo është një fatkeqësi që nuk ka nevojë të parashikohet më. Opozita po propozon një truk ligjor që të shpëtojë bythën e vet: ja ne e hoqëm Edi Ramën nga pushteti për hir të zgjedhjeve të ndershme. Po kush e ha këtë karamele që është si hallvasia e vakisë?

Vetë historia e PD-së përgënjeshtron këto marifete të Lul Mavrisë. Në vitet 2000-2004, Sali Berisha e ngriti Fatos Nanon në piedestalin e figurave më të rrezikshme të kombit shqiptar, e megjithatë ai fitoi zgjedhjet në vitin 2005 sepse krijoi frymën ndryshe. 

Edhe Edi Rama, ky sorollatës profesionist në opozitë, nuk la hartim pa bërë kundër Berishës, por në fund hyri në zgjedhje dhe i fitoi ato më 2013-ën. 

Si vallë Lulzim Basha na bëka këtu përjashtim? Si vallë vetëm ky paska shumicën me vete por ja vjedh mafia zgjedhjet? Janë pyetje retorike pasi Lulzimi nuk përgjigjet asnjëherë, sepse nuk i intereson gjë tjetër veç pazarit. 

Aspekti tjetër është se cila qeveria kujdestare do të quhej e besueshme kur secila palë fare mirë mund të niste akuzat sapo të nuhaste se po humbet? Lulzimi në vitin 2017 mori ministri dhe institucione që pikërisht presupozonte se shërbenin për përdorimin e burimeve publike për shumicën dhe humbi lumëmadhi ai si mos më keq. Si vallë do të shmanget tani kjo gjë? 

Ndoshta jemi para një zgjidhjeje shumë të zgjuar, nga ato që vetëm Bylykbashi di të rekomandojë, ndoshta nuk po e kuptojmë se çfarë po ndodh aty ku syri i liderit demokrat nuhat fitoren, por në çdo rast sot nuk gjen dot një arsye të vetme që të mos urresh qeverinë dhe të mos përçmosh deri në bezdi opozitën e Lulzimit i cili edhe sikur ta pyesësh se përse duhet të të votoj, përgjigja më e mirë që do të të japë është: të shpëtojmë nga Ramavirusi. A thua i doli keq me Ramavirusin atij. 

s.zaimi