Në Shqipëri ka disa ditë që është zbuluar ai që po quhet skandali i pasaportave. Në qendër të këtij skandali është vënë Presidenti i Repulikës Ilir Meta që akuzohet se ka dhënë shtetësi jashtë kuadrit ligjor dhe për persona me precedentë penalë. Çështja ka dalë në skenë në kontekstin e një tjetër skandali, atij të inceneratorëve dhe është e lehtë të kuptohet se një skandal kundërbalancohet me një skandal tjetër. Që e vërteta nuk është qëllim kjo kuptohet fare lehtë nga mënyra sesi u pompua investigimi dhe se për cilat arsye po shfryhet ai. Gazetari Adriatik Doçi që firmosi investigimin e publikuar në median e Carlo Bollinos është sulmuar nga zëdhënësi i Presidenti, Tedi Blushi, përmes një e-maili ku rezulton se Doçi në vitin 2017 kërkonte punë si socialist te deputeti Sadri Abazi. Më poshtë e-mail:

Siç shihet presidenca ka gjetur një argument ku të kapet për të diskredituar investigimin. Shtuar këtu faktin se kreu i shtetit ka akuzuar përmes akuzave të Alfred Pezës Carlo Bollinon si njeri të lidhur me biznese të dyshimta në Itali. Pra një gazetar që është socialist i vetëdeklaruar dhe një botues që lidhet me afera të dyshimta.

Sigurisht që teksa lexon këtë rrjet intrigash, njeriu kupton se balta e njërit ka llangosur edhe tjetrin, se fajtori Meta për shkak të ceneve të akuzatorëve është shndërruar deri diku në viktimë, pikërisht sepse këto cene kompromentojnë qëllimin e sulmit. Nga ana tjetër, socialistët e kësaj beteje pa asnjë lloj skrupulli janë mbrojtur në një mënyrë që të lë të cmeritur: Alfred Peza që dikur formulonte akuzat që sot Meta përdor ndaj Bollinos, ka dalë me një shënim tipik të tijin, ku me parimin e Shvejkut deklaron se ajo që ai ka thënë nuk e justifikon presidentin. Çështja këtu është se kuadër të katapultës së baltës që po lexojmë, Peza nuk thirret si gjyqtar i presidentit, por si konfirmues ose përgënjeshtrues i akuzave që ka bërë vetë. Por detyrën ndaj publikut zotëria ndoshta e ngatërron me detyrën ndaj Partisë e cila iu gjend gjatë aferës 1 milionë dollarë. Një shumë që për ironi përkon me 1 miliardëshin e Carlo Bollinos.

Më tej akoma, gazetari investigativ, Adriatik Doçi, ka kaluar në sulm personal ndaj Blushit, edhe ky vetë një i keqpërdorur i vetëdijshëm në historitë e Ilir Metës, duke shkruajtur për dashnorë dhe dashnore. Një degradim total që na ilustron se kush pompohet për merita të veçanta në mediat e këtij vendi. Ajo që bashkon treshen e gazetarëve në fjalë është ai që quhet peccato di omissione të cilën z. Bollino me siguri e di shumë mirë se çfarë është. Skandali i komunikimit në këtë rast është më i madh se vetë skandali i pasaportave që fryhet e tirret nga kryeministri gjë që provohet fare mirë nga teksti skandaloz i projektligjit për Presidencën.

s.zaimi