Qeveria shqiptare, kjo e tanishmja, ka vendosur të marrë seriozisht veten dhe shtetin ku ka hipur duke pretenduar të marrë adresën e qëndrimit të shtetasve që banojnë jashtë territorit të Republikës. Përmes një vendimi të datës 4 nëntor, përherë me propozim të ministrit të Brendshëm, qeveria ka vendosur të detyrojë deklarimin e adresës së shtetasit shqiptar jashtë Shqipërisë, duke njoftuar se mosdeklarimi i adresës do të sjellë ndërprerjen e shërbimeve ndaj tyre që nuk janë asgjë më shumë se ato të Gjendjes Civile dhe ushtrimi eventual i të drejtës së votës.

Me këtë vendim të tri shfuqizohet edhe një vendim i ngjashëm i vitit 2018 që nuk dihet nëse është zbatuar ndonjëherë apo jo.

Nga ana tjetër, akti sjell me vete një lloj paradoksi. Për rreth dy vjet me radhë, qeveria u përpoq të stabilizonte adresarin e shtetasve që jetojnë brenda territorit të Republikës, por pa sukses. Qoftë për shkak të refuzimit, qoftë për shkak se siç u bë e njohur administrimi i të dhënave të reja solli probleme me shumë qytetarë, të cilëve u ishte ndryshuar gabimisht vendbanimi në dokumentacion.

Në këto kushte është disi e tepruar të pretendohet të menaxhohet një proces më kompleks, ndërkohë që është e pacipë të detyrosh njerëzit të deklarojnë adresën, kur vetë si shtet nuk je kurrë i pranishëm për ndonjë gjë pranë komuniteteve të shqiptarëve jashtë.