Në gazetën “Tema” është publikuar një shkrim që evidenton gjenialitetin parashikues të Liderit të Ballkanit, Edi Rama. Në marshin e tij të pandalshëm historik, me hapin drejt horizonteve të parrokshme nga mendjet butake të njerëzve të zakonshëm, z. Rama dikur parashikoi se Trump ishte rrezik për qytetërimin. Dhe për këtë gazeta i kujton këtij modesti të rrallë se mund të krenohet.

Patjetër, me këtë leje në xhep z. Rama mund të nisë të rendë sa nga një ekran europian në tjetrin për të thënë se ai është një profet që meriton njohjen.

Problemi këtu është se banalizohet dhe thjeshtohet për arsye ndoshta cerebrale një histori e një daljeje publike për të cilën më vonë vetë z. Rama u spërdrodh për ta relativizuar. Është po ky profet që sot i sillet shqiptarëve si “rruga, drita dhe e vërteta” që bënte çmos të dilte një foto, shiste një takim me Donald Trump, që u allnua madje me inat gruaje kur Mike Pompeo, yesman i Trump, i nisi një mesazh formal Ditmir Bushatit.

Është po ky profet që shiste për politikë të madhe muxhahedinët iranianë, ndërkohë që vetë historia e aktit mbi Kongresin amerikan është shumë më tepër sesa një episode dhune. Dhe edhe si i tillë ai ndodh në një vend që e ka të ligjëruar të drejtën e reagimit me dhunë dhe madje armëmbajtjen pa leje.

Është fare e qartë se politikanë si ky Edi Rama duan të nxjerrin dhjam nga pleshti, të përfitojnë nga çdo situatë dhe të fshihen nga ca të tjera. Por meqenëse profecia e Edi Ramës qenka përmbushur siç po na thonë dhe meqenëse sulmin mbi Kongres e dënoi edhe Kumbari i Ramës, presidenti turk, Erdogan, është e udhës që ndoshta Shqipëria t’i vërë sanksione Trump. Kështu edhe kjo zallishte me emrin Shqipëri do ketë ma ça të shtyjë kohën deri në fund të 2021-t se tumanet dhe penevrekët e kryeministrit nuk përbëjnë më lajm. Kllouni nuk është lajm në cirk, është argëtim.

s.zaimi