Yuri Kim ka bërë lajm sot me një deklaratë të vetën pas një takimi me kreun e PD-së, Lulzim Basha. Pas takimit ajo foli thuajse me emër kundër ish-kryeministrit Sali Berisha duke kërkuar në mënyrë ultimative që PD-ja të shkëputet prej tij:

Do të doja të theksoja gjithashtu përgjegjësinë që kanë kryetarët e partive për t’u siguruar që kur të hyjnë në atë parliament, të shoqërohen nga anëtarë që janë të denjë për të përfaqësuar Shqipërinë. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme që edhe PD t’i mendojë këto çështje.

Siç e përmenda më parë, Partia Demokratike ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm, për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura. Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu

Siç mund të merret me mend, rotacioni në PD po rregullohet me asistencën e amerikanëve, njësoj si procesi zgjedhor që garantohet aq sa për të patur stabilitet po nga të huajt.

Në këtë kuadër, PD-ja është aktualisht një protezë e paqëndrueshme e një fasade demokratike në një vend të dështuar. Ajo nuk di, nuk do dhe as ka kapacitet që memorien dhe historinë e vet ta menaxhojë vetë në funksion të së ardhmes. Ajo ka përftuar tiparin e memecërisë të të ashtuquajturit lider dhe kryetar, që po asistohet të mbajë karrigen nga të huajt.

Atë që duhet vetë partia ta bënte, po e bëjnë protektorët e kësaj klase politike që po spostojnë atë që dikush e thërret Lider Historik. Si u skualifikokan kështu liderët historikë në këtë vend, me deklarata diplomatësh që shëtisin sa nga një ekran në tjetrin? Ky episod, i përzishëm në mënyrën sesi u shërben shqiptarëve një gjellë me data skadence të kaluar, të cilën ata nuk dinë të gatuajnë vetë, të kujton mënyrën sesi u përfol burgosja e Fatos Nanos dikur në vitin 1994. Asokohe u tha se Nanon e futën në burg amerikanët pse ai ishte shprehur kundër tyre. Dhe pas këtij akti vazhdoi karagjozllëku i një vendi që e celebron veten si demokratik, si partner strategjik të SHBA, se bën zgjedhje të lira e kështu me radhë.

Të kujton edhe atë legjendën urbane sipas të cilës Mehmet Shehu vrau veten se nuk duronte t’i bënin gjyqin Pali Miskat me shokë. Kategori kjo e fundit që bën historinë në Shqipëri, si Lulzim Basha sot, një askush që i bie përherë llotaria.

Fatkeqësia më e madhe janë të ashtuquajturit intelektualë, apo gazetarë të shquar që duartrokasin këtë qelbësirë që shohim sot, duke u shfaqur si të çliruar nga një barrë anti-demokratike me nxjerrjen nga loja të Berishës, pa kuptuar se këtu nuk bëhet fjalë për sovranizëm folklorik, por për ekzistencë modeste. Nxjerrja e Berishës po luhet me standardin politik të Lulzim Bashës, që as nuk thotë gjë dhe as nuk bën gjë, duke pritur e pritur se kë dhe çfarë të shesë.

Historia e afërt na mëson se kudo ku amerikanët kanë shkelur në këtë mënyrë, dështimi ka qenë spektakolar. Dhe ata janë shumë të aftë të krijojnë edhe shoqëri të dëshpëruara. Italia është një rast, republika e së cilës në fakt nisi me poshtërimin që iu bë Musolinit nga duar të huaja. Republika e re e Italisë nisi me poshtërimin që iu klasës politike me skandalin e tangentopolit, dirigjuar nga të huaj. Ja ku është Italia sot, një shtet çorap dhe me pastabilitet organik. Iraku është një shembull tjetër. Afganistani, një më tutje e kështu me radhë. Shqipëria dhe bota shqiptare janë pjesë e këtij eksperimenti që peshon shumë pak në kandarin strategjik të një fuqie që po shpërbën besimin e një brezi me buzëqeshje ambasadorësh dhe duke promovuar të kastruarit në një politikë që nuk merret vesh kujt i shërben.