Presidenti amerikan, Joe Biden, ka firmosur së fundmi një urdhër ekzekutiv drejtuar Departamentit të Drejtësisë dhe agjencive të tjera qeveritare për rishikimin e dokumenteve hetimore të FBI-së për 11 shtatorin, me synim deklasifikimin e tyre. Urdhëri i Biden detyron Prokurorin e Përgjithshëm Merrick Garland të deklasifikojë dokumentet brenda një periudhe gjashtë mujore.
Ne nuk duhet të harrojmë kurrë dhimbjen e pafundme të familjeve dhe të dashurve të 2 977 viktimave të pafajshme që u vranë gjatë sulmit më të keq terrorist të historisë së Amerikës
është shprehur Biden.
Presidenti duket se u detyrua njëfarësoj të firmosë urdhërin pasi 1 800 qytetarë amerikanë të prekur drejtpërdrejt nga sulmet terroriste lëshuan një deklaratë këtë javë përmes së cilës shprehën kundërshtimin e tyre për pjesëmarrjen e Biden në çdo ceremoni përkujtimore gjatë këtij viti, nëse ai nuk mbante premtimin për deklasifikimin e dokumenteve. Ata besojnë se hetimet kanë provuar një lidhje mes liderëve sauditë dhe ngjarjeve të 11 shtatorit, ndërkohë që ndaj Arabisë Saudite ka disa padi që nga viti 2017.