Rritjes së çmimit të bukës, gazit dhe karburanteve, pritet t’i shtohet edhe ajo e energjisë elektrike. Kryeministri Rama e paralajmëroi një fakt të tillë, në një dalje të paparalajmëruar për mediat sot në mesditë. Duke e motivuar rritjen me krizën energjetike në botë dhe manovrat tregtare që vijnë si pasojë, Rama tha se rritja e çmimit të energjisë pritet brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm, duke shtuar se qeveria do të përpiqet të mbrojë nga kjo rritje shtresat në nevojë.  

Ekspertët mendojnë se pavarësisht implikimeve të mundshme sistemike, që kriza e jashtëzakonshme energjetike mund të ketë mbi të gjitha vendet, beteja kulmore do të zhvillohet dhe do të vendoset, deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm. Dhe përgjegjësia e detyra numër një e qeverisë shqiptare, është të mbrojë medoemos dhe sido e sado që të jetë e mundur, nga goditja e kësaj fatkeqësie të re, shtresat më në nevojë, konsumatorët familjarë, si edhe biznesin e vogël; fiks në këtë rend prioritetesh.

Kriza e re që sjell me vete rimëkëmbja nga pandemia do të rëndojë direkt në xhepat e qytetarëve. Megjithatë, edhe kjo mund të mos zgjidhë gjë. Vendi mund të përballet edhe me kufizime të energjisë, në fashën 18:00-22:00, kjo për shkak të vështirësive që ka OSHEE për të blerë energjinë që do të mbulojë këtë fashë, pavarësisht çmimit më të lartë në historinë e importeve të paguar për të siguruar energjinë e javës së parë të këtij muaji.