Kina do të ekzaminojë deri në 200 000 mostra gjaku të marra në qytetin Vuhan para shpërthimit të epidemisë Covid-19. Qëllimi është të hidhet dritë në atë se si koronavirusi kaloi nga kafsha te njeriu. Lajmin e bën të ditur CNN, duke cituar një "zyrtar kinez".

Kjo nismë në fakt është kërkuar nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) shkurtin e kaluar.

Mostrat e gjakut në fjalë, shkruan CNN, mbahen në qendrën e gjakut në Vuhan. Mostrat u mbajtën në bankën e gjakut për dy vjet, thonë zyrtarët kinezë, në rast se ato do të ishin të nevojshme si dëshmi për çdo pretendim të lidhur me pandeminë. Periudha e skanimit nis nga muajt kyç të tetorit dhe nëntorit 2019, kur shumica e ekspertëve mendojnë se virusi mund të ketë infektuar njerëzit për të kulmuar më pas në shpërthimin masiv të dhjetorit.

Një zyrtar nga Komisioni Kombëtar i Shëndetit të Kinës i tha CNN-it se përgatitja për testet aktualisht është në proces. Mostrat përmbajnë të dhëna me rëndësi absolute, thotë Maureen Miller, profesoreshë e asociuar e epidemiologjisë në Universitetin Columbia, duke i kërkuar Kinës që të lejojë ekspertë të huaj të vëzhgojnë procesin. "Askush nuk do t'i besojë rezultatet që raporton Kina nëse nuk ka vëzhgues të kualifikuar", thotë ajo.