Austria ka vendosur të gjobisë me deri në 7200 euro ata qytetarë që nuk pranojnë të vaksinohen kundër CoVid-19. Masa në fjalë është përfundim i një propagande të gjerë frike dhe paniku kundër sëmundjes aktuale dhe sugjeron si model shtrëngimin e çdo individi përkundër vullnetit të tij në raport me trupin. Trupi kështu i nënshtrohet një kategorie abstrakte që quhet Shëndet Publik, ndonëse të vaksinuarit janë teorikisht të imunizuar dhe nuk rrezikohen.

Është interesante të vihet në dukje se Brukseli që ka direktiva dhe rregullore edhe për ngjyrën që duhet të ketë domatja në tavolinë, apo për kohën e pjekies së një bifteku, nuk ka reaguar dhe me gjasë as do të reagojë. Një akt i pastër represiv mbi një shoqëri të tërë e cila nëse nuk edukohet, atëherë do të dhunohet. Austria ka rreth 67% të popullsisë të vaksinuar dhe represioni sanitar do të aplikohet ndaj 33% të popullsisë, duke vënë në provë një hapësirë të fundit të lirisë. 

Çfarë vlere kanë gjobat, oraret, kufizimet në kohën e tanishme? Çfarë ndodh me sëmundjen pas orës 23:00, pas vjeljes së gjobës 7200 euro? Asgjë. Thjesht, imponohet një masë kundër një shoqërie të tërë. Pa diskutuar dhe pa komunikuar. Dhe po flasim për pjesë të tëra të shoqërisë që nuk refuzojnë idenë e vaksinimit, pasi vaksinat e tjera janë kryer, por të mënyrës si propozohet vaksinimi i tanishëm.

Të refuzosh vaksinën po amballazhohet si mendësi reaksionare, si regres i logjikës nga autoritete që nuk kanë as të drejtën më minimale për të dekretuar masa të tilla, sepse sot që flasim, edhe Austria që mbahet për vend me standarde, ka një ish-kryeministër të larguar për korrupsion. E gjithë elita politike perëndimore lundron në dyshime për korrupsion: si mundet atëherë, që kjo elitë të kërkojë të imponojë një aksion i cili detyrimisht kalon nga konsensusi?

Vaksina anti-CoVid-19, ka edhe ajo ikonat e veta. Kompani, mjekë, zyrtarë, të gjithë në rendin e pandalshëm të komunikimit të nevojës së saj si indulgjencë për njerëzinë e çoroditur nga padija dhe kokfortësia. Absurdi me këtë temë arriti pak muaj më parë kur media serioze shkruanin se mes konservatorëve që kundështojnë vaksinën ka shumë të vdekur, diçka që sot që vdekjet po marrin radhë këdo, nuk përmendet më.

Është një diskutim i madh i cili nuk është se në finale i jep kujt të drejtë dhe dikujt tjetri jo, por i cili po helmon marrëdhënien në shoqëri, teksa me panikun si katalizator, autoritetet që nisen nga llogari strikt politike, nuk po bëjnë gjë tjetër, veçse po ndërsejnë një pjesë të popullsisë kundër një tjetre. Në kurriz të demokracisë që po duket fare qartë se nuk është e përjetshme.

s.zaimi