Protesta për rritjen e çmimeve është nën ndikimin agjenturave ruse dhe serbe. E thotë këtë Brizida Gjikondi, që prezantohet si juriste. Zonja arrin në këtë përfundim me deduksion: meqenëse sipas saj personazhi kryesor i protestës është Berisha, ai si antiamerikan i thekur po nxit këtë destabilitet.

Është një hall kryeministri, të cilin duhet ta dëgjojmë kur e quan protestën turp, sepse ashtu ia do puna, dhe një tjetër që të dëgjojmë zëdhënës të qëndrimeve të tij nga njerëz si zonja. E cila as ka informacionin, as tagrin publik të thotë një gjë të tillë dhe të bëhet e besueshme. Logjika e këtij lloj denoncimi është e tillë sepse kërkon të çmobilizojë urrejtjen ndaj politikës dhe qeverisë në përgjithësi, urrejtje e cila përmes këtij sensi analize priret të stresojë dhe lodhë një shoqëri, të cilës i sugjerohet vetëm një rrugëdalje: status quoja. E si e tillë ajo e rikanalizon urrejtjen në ndjenjë dështimi dhe kapitullimi.

Me logjikën e kësaj zonje që nuk dihet se përse ftohet në studio televizive, i bie që të protestosh kundër korrupsionit bën lojën e Rusisë, kundër çmimeve të rritura bën lojën e Serbisë, nëse ngrihesh për votën bën lojën e Sali Berishës, po u ngrite për subvencionet je injorant, nëse proteston si student je mish për top. E kështu me radhë. Një aradhë njerëzish që kanë akaparuar të ashtuquajturin debat publik, duke recituar mekanikisht vargjet e anitberishizmit, shndërruar në ideologji parazitare të një kaste hajdutësh dhe të mllefosurish që duan vetëm të jenë në karrigen që mbajën prej dekadash.

Ndërkohë që të rrish, e të mos protestosh, të mos e mbështesësh protestën, apo atë që ajo thotë, i shërben agjenturës së korrupsionit që drejtohet nga këtu brenda, e që përbën kërcënim ekzistencial për një shoqëri të tërë, përtej faktit se ky korrupsion ka sjellë një të mirë: ka dërrmuar besimin e Shqiptarëve te narrativa e rreme e nisur me Rilindjen Kombëtare e që ka ngecur si rrjetë merimange në tekste shkollash dhe riciklohet nga apostujt e kësaj nacional-hajdutërie të orkestruar në nivel strukturor dhe qelizor.

s.zaimi