Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka organizuar sot një ceremoni formale të ngritjes së fllamurit të BE-së në selinë e qeverisë, me ç’rast ka mbajtur edhe një fjalë. Duhet vënë në dukje se në ceremoni kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të komuniteteve fetare, dekori i përjetshëm i festës së brigadës shqiptare që e çon vendin nga fitorja në fitore, me rolin e stukos morale të një qeverie që është fatkeqësi e mbarë vendit. Në fjalët e tij mbajtur para rreshtores së oborrtarëve të vet dhe ambasadorëve që janë parti më vete, ky njeri, ndër të tjera bëri lodrën e fisnikut të zhgënjyer nga fati, por që zhgënjimet i kapitalizon si thinja mençurie të domosdoshme në rrugën “drejt majës ku meriton të jetë populli shqiptar”.

Do të kisha dashur shumë që sot të ishte këtu edhe opozita…Sot për sot opozita ndodhet në një hendek të madh mes një pjese të identifikuar me gjithçka bie ndesh me frymën dhe marrëdhënieve me BE që nga korrupsioni domethënës te minimi i demokracisë dhe një pjese tjetër që dallon e nga e para se nuk është damkosur nga partnerët…Për hir të së vërtetës këta të dytët nuk vijnë edhe kur i fton se kanë frikë nga të parët…

ka thënë z. Rama.

Për të vazhduar me një ndjesë për përfaqësues të Perëndimit që sipas tij janë fyer nga disa “të gjindjes sonë” që nxijnë nga suksesi i Shqipërisë së “këtij”.

Zoti Rama pispillos qeverisjen e vet me fjalë pa fund dhe ndihet I pispillour kur këtë ia quajnë aftësi retorike të pakonkurueshme ata që dinë vetëm të vënë firma në prokurime, por në çdo rast, përtej interesit politik, mund të pyetet në aspektin njerëzor: si mund të rrish afër këtij lloj njeriu? Si mund të besosh se një shtihan patologjik si ky të mund të jetë garanci minimale për të bërë katër hapa udhë bashkë, si mundet që një kryeministër që shpik histori për veten dhe momente historike për vendin, ndërkohë që çatia ka nisur të bjerë, të mund të quhet për një çast i pranueshëm, kur në çdo fjalë që nxjerr a zografis, jehon mburrja dhe ndasia?

Në një vend “të mllefit të pashërueshëm” siç e ka quajtur dikush Shqipërinë, është e natyrshme ta mendojmë njëri-tjetrin si pacientë të perceptimit reciprok, pse një shoqëri e helmuar padyshim që sëmur veten. Por një kryeministër që ka patur për 9 vjet çdo gjë dhe ka arritur me eficencë të plotë industrializimin e korrupsionit, nuk mundet që edhe sot të thotë se Opozitën nga ne e ndan një firmë non grata e një farë Blinkeni në SHBA.

Këmbëkryq mbi tepsi ky aga që denoncon katundarizmën e pseudorientalizmit të disave të ngjan sot si kundërthënia e çdo etike dhe estetike të Shpresës që është kaq fisnike: preferon të vdesë e fundit për ta marrë me vete hidhërimin dhe brengën e parrëfyeshme të neverisë nga qenie politike të kësaj kategorie. Sepse me lojën e ndyrë “më të mirë se ne nuk ka" synohet padashur – në rastin më të mirë – që shqiptarët të privohen edhe nga një përvojë e imagjinatës për veten, tani që ky ua përmbushi ëndrrën që e paskësh shpallur për ne të gjithë.

Ky është një gëzim dhe sukses në bulevard, asgjë më shumë, me dikë që del e flet njësoj si ata që sot janë ilustrime kurioze kartotekash dhe fototekash, e gjurmët e të cilëve as I di kush më, veç ndonjë koleksionist vjeturinash.

skerdilajd zaimi