Enkelejd Alibeaj ka dhënë dorëheqjen nga detyra e Kryetarit të Komanduar të Partisë Demokratike që zotëron vulën. Në fjalën e tij Aliebaj ka folur për presione dhe manipulime në zgjedhje, por sipas tij asgjë prej këtyre nuk vë dot në diskutim faktin se PD-ja duhet të reflektojë së pari mbi dobësitë e veta.

Zgjedhjet e 14 majit patën probleme serioze, përdorim oligarkësh por them që para së gjithash duhet të shohim nga vetja. Duhet të vlerësojmë si duhet punën e bërë në terren, impenjimin e secilit për të kuptuar cfarë shkoi keq e cfarë shkoi si duhet. Në shenjë reflektimi kam vendosur të largohem nga drejtuesi i partisë dhe pozicioni drejtues i grupit parlamnentar. Partia duhet të riorganizohet

ka thënë ndër të tjera ai.

Largimi i Alibeajt shtron sado simbolikisht një problem moral dhe politik për kreun e Rithemelimit, Sali Berisha. I cili vetëm dorëheqjen nuk e ka në axhendë. Ky është një problem që nuk mund të injorohet më dhe dikush duhet ta bindë veshin e Sali Berishës që të dëgjojë. Kjo për faktin se elektorati ka tashmë para syve alternativa të dallueshme të reagimit politik që ndahen nga standardi demokratik, sado formal të manifestohet ai.