Kreu i qeverisë e cilësoi sot koncesionin e sterilizimit një nga punët më të bukura të qeverisë së tij. Rama tha se përgjegjësia për shkeljen e kontratës është individuale dhe ata që kanë abuzuar do të paguajnë. Në lidhje me hetimin që ka vënë nën akuzë tetë persona deri tani, Rama tha se korrupsionin nuk mund ta parashikosh.

Kur ne zgjedhim ne nuk i kalojmë njerëzit në sallën e torturave për të marrë vesh se çfarë bëjnë ata në të ardhmen. Pushteti është një lloj kafshe shumë e egër. Është shumë e vështirë ta mbash të zbutur dhe të mos biesh pre e dhëmbëve të veta. Ka shumë që e mbajnë, ka shumë që nuk e mbajnë. Por, s’mund të bëjmë parashikime paraprake se kush do i rezistojë tundimit dhe kush jo. Në proces njerëzit janë natyra të ndryshme. Ka disa më të fortë, e disa më të dobët. Ka nga ata që pyesin dhe ata që s’pyesin për ato që pushteti ta jep si tundim. Them se duhet ta shohim si diçka pozitive dhe përgjegjësi individuale që dikush nuk e mban dot peshën e tundimeve për të bërë 1 rrugë e 2 punë dhe rezultateve të punës.

Sipas Ramës, falë koncesionit të sterilizimit, ndërhyrjet kirurgjikale kaluan nga epoka bronzit në epokën e sotme.

100 herë të kthehesha mbrapa, 100 herë do të mbështesja këto PPP që kemi bërë. 100 herë. Sepse veprat janë ato që mbeten, ndërkohë që sigurisht problemet e korrupsionit janë të lidhura me ata që kanë gjëra në dorë, nuk janë të lidhura me ata që s’kanë gjë në dorë.